I pandehur për korrupsion në zgjedhje, Kristian Shkreli paraqitet në GJKKO për gjyqin ndaj tij

Kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristjan Shkreli është paraqitur këtë të martë në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) për seancën e radhës gjyqësore për dosjen në ngarkim të tij.

Kristian Shkreli është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, pasi dyshohet se në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit bleu vota për subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.

Nga hetimet e SPAK, është evidentuar se Shkreli ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të PSD-së, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate.

Kujtojmë që Prokuroria e Posaçme mbylli hetimet dhe dërgoi për gjykim në GJKKO dosjen për Shkrelin në fund të tetorit 2025.

Ndaj tij, SPAK ka ngritur akuzën e korrupsionit aktiv në zgjedhje.