"Hapja e kapitujve vetëm fillimi"/ Gjoka: Pjesa më e vështirë e BE-së për Shqipërinë sapo ka nisur
Ish-ambasadori Sokol Gjoka ka komentuar procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke e cilësuar hapjen e të gjithë kapitujve të negociatave si një hap të rëndësishëm, por jo vendimtar.
Sipas tij, ky zhvillim tregon vullnetin politik të vendeve të BE-së për zgjerim dhe mbështetje ndaj Shqipërisë, por faza më e vështirë sapo ka filluar, ajo teknike dhe e zbatimit të reformave.
“Hapja e kapitujve është vetëm hapi i parë. Tani procesi kalon në pjesën teknike, ku duhet punë e kujdesshme dhe reforma të zbatueshme.”-tha Gjoka.
Ai shpjegon se procesi i negociatave nuk është vetëm politik, por kryesisht teknik, dhe kërkon angazhim të vazhdueshëm për të përmbushur standardet e BE-së.
“Mbyllja e kapitujve është pjesa më e rëndësishme, sepse aty përfshihen si aspekti politik, ashtu edhe ai teknik.”-u shpreh ish-ambasadori.
Gjoka shton se sfida nuk është vetëm për Shqipërinë, por edhe për vetë Bashkimin Evropian, i cili prej vitesh nuk është zgjeruar me anëtarë të rinj për shkak të proceseve të brendshme dhe kushteve ndaj vendeve aspirante.
Sipas tij, vendi tani duhet të fokusohet te reformat dhe zbatimi praktik i tyre, për të ecur me ritëm të qëndrueshëm drejt anëtarësimit në BE.

