"Bujqësia shqiptare me probleme të pazgjidhura"/ Rrapaj: Rrezikon integrimin e vendit në BE
Procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian përballet me sfida të mëdha, veçanërisht në sektorin jetik të bujqësisë.
Ekspertët ngrenë shqetësimin se problematikat e thella dhe të mbartura në këtë fushë mund të kthehen në një pengesë serioze për përmbushjen e standardeve evropiane, ndërkohë që transparenca mbi ecurinë e reformave mbetet e ulët. Në një analizë të situatës, theksohet se fati i kapitullit 12, që mbulon sigurinë ushqimore, varet tërësisht nga progresi në kapitullin 11, i cili i dedikohet bujqësisë dhe zhvillimit rural.
I ftuar në një intervistë për “Ora News” Agim Rrapaj, kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar është shprehur se neglizhenca ndaj kapitullit 11 do të krijojë vështirësi të pakapërcyeshme në kapitullin pasardhës.
"Nëse ne nuk i kushtojmë rëndësi kapitullit 11, te kapitulli 12 do të kemi vështirësi akoma më të mëdha, që edhe mund të mos i përballojmë dot," u shpreh ai.
Një ndër problemet më kritike që mbetetende pa një zgjidhje është sistemi i kontrollit dhe gjurmueshmërisë në bujqësi.
Megjithëse këto problematika janë të njohura dhe të evidentuara prej kohësh, ato nuk kanë marrë ende një zgjidhje konkrete. Kjo situatë i atribuohet një nënvlerësimi të problemit ose mungesës së vullnetit për të ndërmarrë reformat e nevojshme dhe komplekse.
Një tjetër sfidë madhore sipas Rrapaj mbetet numri tejet i lartë i subjekteve bujqësore që operojnë në vend. Ky copëzimi i skajshëm e bën sektorin praktikisht të pakontrollueshëm fizikisht nga institucionet shtetërore.
Mungesa e një strategjie për të menaxhuar dhe konsoliduar këtë numër të madh fermerësh dhe prodhuesish e bën të pamundur zbatimin efektiv të standardeve të kontrollit dhe gjurmueshmërisë, të cilat vlerësohen si thelbësore për tregun evropian.
Situata komplikohet më tej nga mungesa e informacionit konkret mbi punët e bëra dhe ato që mbeten për t'u bërë në kuadër të negociatav, duke e bërë më të vështirë vlerësimin real të progresit dhe mban pezull pritshmëritë për një integrim të shpejtë dhe të suksesshëm në fushat kyçe të bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Agim Rrapaj: ”Nëse ne nuk i kushtojmë rëndësi kapitullit 11, që është bujqësia dhe zhvillimi rural, te kapitulli 12 ne do të kemi vështirësi akoma më të mëdha, që edhe mund të mos i përballojmë dot. Duke pasur parasysh tek bujqësia, dhe unë kam parasysh formën e organizimit që ne kemi sot, sistemi i kontrollit dhe i gjurmueshmërisë në bujqësi ka problematika të cilat nuk kanë gjetur zgjidhje akoma. Njihen, janë të evidentuara, por nuk kanë gjetur zgjidhje. Jo se nuk ka zgjidhje, por realisht janë nënvlerësuar ose kërkojnë më shumë punë nga ata që duhet t'i zgjidhin këto probleme. Po e shikoj që nga subjektet që ne kemi. Ne kemi një numër të madh subjektesh. Realisht, të pakontrollueshme fizikisht nga të gjitha institucionet. Dhe për këtë nuk mendon kush. Si ne do të reduktojmë këtë proces dhe si do ta bëjmë këtë të kontrollueshëm dhe të gjurmueshëm. Ëh, flitet, dikur kanë qenë 354,000 subjekte që prodhonin për treg”.

