Lamallari në Sarandë: Bregdeti dhe mbrojtja e territorit janë interes kombëtar, jo vetëm çështje lokale
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, gjatë një takimi në Sarandë me drejtues të Policisë së Shtetit, IKMT dhe institucioneve vendore, ka vënë theksin në kontrollin e territorit dhe garantimin e sigurisë publike për zonat bregdetare.
“Ndërtimet pa leje, zaptimi i hapësirave publike apo abuzimet në kurriz të interesit qytetar dhe zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit, janë një vijë e kuqe”, deklaroi ministri gjatë fjalës së tij.
“Dilni për Zot përgjegjësisë, që ju është dhënë. Ne nuk mund të lejojmë të cënohet diçka që është më e madhe. Zero tolerancë ndaj paligjshmërisë dhe përgjegjësi për çdo mosveprim institucional”, u shpreh ndër të tjera Lamallari.
Të pranishëm në këtë takim ishin kreu i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, kreu i IKMT, Afrim Qëndro, si dhe kryebashkiaku i Sarandës, Oltion Çaçi.
