Dokumenta e dëshmi, Edi Merkaj brenda skandalit të abuzimit me fondet e Frontex. OLAF po e verifikon

Një ditë më parë emri i Eduart Merkajt, u trumbetua fort në media si drejtori i ri që merte levat e komandimit të Drejtorisë së Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje.

Ai la drejtimin e Agjensisë së Mbikqyrjes Policore dhe tashmë Ministri i ri i Drejtësis, Toni Gogu, i ka besuar atij të mbikqyrë punën hetimore në burgje.

Mirëpo të gjitha këto detyra me mbikqyrje dhe hetime, që po i besohen Eduart Merkaj, në fakt kanë një prapavijë të fortë politike që ai përfaqëson.

Por ajo që është e rëndësishme dhe që ka nevojë të domosdoshme për tu mbikqyrur dhe patur transparencë në media, është një dosje penale e rregjistruar në prokurorinë e Korçës dhe atë të Gjirokastrës, ku emri i Eduart Merkaj është i shënuar me bold, jo vetëm nga hetuesit Shqiptarë por edhe nga prokurorë të Zyrës Kundër Mashtrimit Ekonomik (OLAF-it) me qendër në Varshavë të Polonisë.

Eduart Merkaj, ish-zyrtari i Policisë së Shtetit që po kërcen nga njëra drejtori në tjetrën, dyshohet se rezulton të jetë njeriu kryesor i implikuar me abuzimet me fondet policisë dhe misionit “Frontex” në Shqipëri.

Por teksa redaksia e “MaShqip” po përgatiste këtë artikull për botim, është mësuar se tashmë dosja penale e rregjistruar në prokurorinë e Korçës, është ndarë në 2 fraksione penale, ku një pjesë e akteve me përgjegjës konkretë është mbajtur në Korçë dhe pritet të dërgohet në gjykim.

Ndërsa pjesa tjetër e materialit është dërguar në prokurorinë e Gjirokastrës, për të ndjekur përgjegjësit që kanë kryer abuzimet në këtë zonë kufitare.

E ndërsa shfleton këtë dosje hetimore konstaton se emri i Merkaj del në dhjetëra fatura shërbimi, të cilat janë firmosur prej tij, gjatë kohës kur ka mbajtur detyrën e Drejtorit të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit pranë Policisë së Shtetit.

Dokumenta e dëshmi, Edi Merkaj brenda skandalit të abuzimit me fondet

Firmat e Merkaj, janë fiksuar në mandate shërbimi të nxjera nga njësi tregtare akomoduese hotele, njësi tregtare për shërbime ndërtimi e të tjera.

Siç shihet dhe në dokumentat e siguruara del qartë se Eduart Merkaj, realizonte listat e punonjësve të Policisë së Shtetit për ti planizuar me shërbim në zonat kufitare të Kakavijës, Leskovikut, Tre Urat, Kapshticës dhe Qafë-Thanës.

Dokumenta e dëshmi, Edi Merkaj brenda skandalit të abuzimit me fondet

Kujtojmë se së bashku me policët e huaj të këtij misioni shërbejnë dhe efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët sipas hetimit përzgjidheshin nga ish-drejtori i Kufirit në Policinë e Shtetit, Eduard Merkaj dhe më pas viheshin për një periudhë kohe në shërbim të përbashkët me “Frontex”.

Për orët e shërbimit dhe dietat ushqimore dhe fjetjen e Punonjësve të Policisë së Shtetit në zonat kufitare, paguante “Frontex” përmes shumave financiare që akordoheshin nga Bashkimi Evropian. Faturat e shërbimit rezultojnë të jenë paguar dhe nga Eduart Merkaj.

Pikërisht me këto fonde janë konstatuar abuzime në miliona euro, dhe për këtë gjë, pak muaj më parë në prokurorinë e Korçës, ka mbëritur një prokuror i OLAF-it, i cili ka marë një kopje të akteve hetimore me qëllim studimin e tyre dhe vijimin e hetimeve paralel në Varshavë me prokurorinë e Korçës.

Prej disa vite misioni “Frontex” ndodhet në Shqipëri, për monitorimin e lëvizjes së klandestinëve nga lindja e mesme, të cilët hyjnë në territorin Shqiptar përmes vijës kufitare të gjelbër Greqi-Shqipëri.

Lidhur me këtë çështje penale, mbi të cilën qëndron si satelit mbikqyrës dhe një prokuror i OLAF-it në Varshavë, është marë në pyetje dhe vetë Eduart Merkaj, i cili dy ditë më parë u emërua në krye të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Burgje.

Gjatë kohës kur është marë në pyetje, Merkaj, nuk ishte pjesë e drejtimit të Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit, por këshilltar në Byronë Kombëtare të Hetimit pranë prokurorisë së posaçme SPAK.

Në dëhsminë e tij dhënë në prokurorinë e Korçës, Eduart Merkaj, ka deklaruar se në:

“…detyrën e Drejtorit të Deparatamentit të KM në DPPSh, ka qenë nga janari i vitit 2019 deri në qershor-korrik 2022. Detyrat funksionale të Drejtorit të Departamentit Kufirit dhe Migracioknit, janë të përcaktuara në procedurat standart. Operacioni i përbashkët me FRONTEX ka filluar në muajin maj 2019 në bazë të një marrveshje të FRONTEX dhe qeverisë shqipëtare, ngritur për monitorimin e kufijve të Republikës së Shqipërisë me shtetin grek për parandalimin e krimeve ndërkufitare si dhe kontrollin e flukseve migratore të cilët ishin konstatuar që kalonin në kufi në mënyrë të paligjshme. Si procedurë nga Deparatmeti kerkohej që të asistonin personelin e huaj të misonit FRONTEX me personel të punonjësve të policisë kufitare…”

Më tej Merkaj ka shtuar se: “…për çdo punonjës të misionit kërkohej shoqërimi në terren me dy punonjës të policisë kufitare shqipëtare. Nga ana e deparatementit njoftoheshin drejtoritë vendore të KM-së për të përzgjdhur personel që do të merrte pjesë në këtë operaicion sipas periudhave kohore dhe me detyrimin që çdo personel i përzgjedhur nga DVKM -të të kishte njohuri të gjuhës angleze…”.

Dhe menjëherë pas marjes së propozimeve nga ana e asistentit konceptohej dhe përgatitej projekt-urdhëri për caktimin e përkohshëm në detyrë të personelit dhe më pas i çohej Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, i cili e miratonte.

Në dëshminë e tij që ndodhet në dosjen penale thuhet se:

“…sipas urdhërit vazhdonin edhe shërbimin me afatet e përcaktuara sipas kërkesës së misionit FRONTEX, ku afati ishte i përcaktuar edhe në Urdhërin e Drejtorit të Përgjithshëm të DPPSH. Urdhëri ju çohej DVKM-ve përkatëse për të marrë masa nga ana e tyre lidhur me angazhimin e punonjësve në këtë operacion dhe organizimin e brendshëm të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në qarqet Korçë dhe Gjirokastër…”.

Por kjo është vetëm njëra pjesë e dëshmisë që Merkaj ka dhënë në prokurori, pasi rëfimi i tij është më i gjatë, por do trajtohet në një kohë tjetër.

Rasti në fjalë tregoi zbulimin e një prej skemave mjaft të sofistikuar të vjedhjes së fondeve të Bashkimit Evropian nga ana e zyrtarëve të Policisë së Shtetit.

Skema shtrihej nga zyrtarët e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit në Policinë e Shtetit dhe më pas zbatohej në sektorin e shërbimit të efektivave të policisë pranë zonave kufitare.

Qindra e qindra mandate pagesash të falsifikuara nga punonjës policie, kanë çuar në një dëm ekonomik prek gati 2 milion e 700 mijë euro. Sipas dosjes hetimore, punonjës policie janë angazhuar me “Frontex”, të cilët pasi janë akomoduar në hotele janë pajisur edhe me faturat tatimore përkatëse sipas netëve që kanë fjetur.

Njëri nga pronarët e hoteleve,i cili është vënë nën hetim për rastin në fjalë, ka treguar në prokurori se: “…të përhershëm, ka në hotel grupin e antikontrabandës të cilët kryejnë shërbim në PKK Kapshticë, kurse pjesa e punonjësve të policisë që janë të angazhuar me “Frontex” vijnë rrallë…”.

Ai ka deklaruar se nuk e mban mend numrin e saktë të punonjësve të policisë që kanë fjetur në Hotel, por thekson që janë shumë pak.

“…pasi flinin në hotel këta punonjës policie i paraqisnin një fletë e cila quhet “INVOCE” të cilët e merrnin tek “Forntex” dhe ai ja vuloste me vulën e firmës që drejton, kurse nga korriku 2021 e në vazhdim unë po procedoj me programin e fiskalizimit…”-ka treguar pronari i hotelit që tashmë është vënë nën hetim.

Ndërkohë i pyetur nga ana grupit të hetimit, nëse ka patur raste që në këtë hotel të kenë fjetur edhe punonjës të PKK Kapshticë si psh: inspektor Edi Spaho, inspektor Adi Bregu, inspektor Markeljan Murati, Inspektor Gerti Haxhia, Inspektor Endri Duro, Inspektor Mentor Bushi etj, ai shpjegon se:

“…nga emrat që më thoni unë nuk mbaj mend asnjë nga emrat që përmenden më sipër nëse kanë fjetur apo jo në hotelin tim. Në lidhje me këtë më duhet të shikoj praktikat pranë hotelit, por me siguri të plotë them që Edi Spaho, nuk ka fjetur në hotelin tim…“.

Po ashtu i pyetur si person nën hetim pronari i hotelit, ka deklaruar se punonjësit e PKK Kapshticë, Inspektor Edi Spaho, Inspektor Adi Bregu, Inspektor Markeljan Murati, Inspektor Gerti Haxhia, Inspektor Endri Duro, Inspektor Mentor Bushi, Denjon Myteberi etj nuk kanë fjetur në hotelin e tij.

Ndër të tjera hetimi i kësaj dosje, ka zbuluar se punonjës policie në Gjirokastër, kanë arritur të marrin fatura në subjekte ndërtimi, duke i servirur ato si fatura shpenzimi në hoteleri dhe restorante ushqimi.

Pas mbledhjes së faturave me çmime shërbimi mjaft të kripura ato dorëzoheshin në Zyrën e Financave, ku më pas bëhej pagesa.

Rasti në fjalë vijon të jetë ende hetim, por pritet që në ditët në vijim prokuroria e Korçës të mbyllë hetimet, duke dërguar në gjykatë mbi 20 punonjës policie që kanë abuzuar me detyrën e tyre duke sjellë një dëm prej gati 3 milion euro./ MaShqip.com