GJITHË NJËZËRI PËR SHQIPEN/ Mijëra protestojnë në Shkup për të drejtën e provimeve në gjuhën amtare

Mijëra studentë shqiptarë pritet të protestojnë këtë pasdite në Shkup, duke kërkuar të drejtën për të zhvilluar provimet profesionale në gjuhën shqipe. Me moton “Të gjithë njëzëri”, protesta synon mbrojtjen e gjuhës amtare dhe respektimin e të drejtave kushtetuese të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Shkupi pritet të mbushet me zërin e mijëra studentëve shqiptarë, të cilët do të protestojnë për të drejtën e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet profesionale.

Studentët kërkojnë që provimi i jurisprudencës dhe provimet e tjera profesionale të mund të zhvillohen edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç garantohet nga ligji për përdorimin e gjuhëve dhe Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut.

Gjatë intervistës për Ora News Hava Nasufi shpjegon rëndësinë e Gjuhës Shqipe.

Në mbështetje të protestës kanë reaguar figura publike, artistë dhe përfaqësues politikë shqiptarë nga rajoni.

Studentët paralajmërojnë se protesta e sotme nuk është kundër askujt, por në mbrojtje të një të drejte themelore: të drejtës për të folur, studiuar dhe përfaqësuar profesionin në gjuhën amtare.

Në këtë organizim do të marrin pjesë studentë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi të mbahet edhe në gjuhën shqipe.

GJITHË NJËZËRI PËR SHQIPEN/ Mijëra protestojnë

Protesta do të zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët – të gjithë njëzëri”, ndërsa organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje sa më të madhe qytetare.

“Së bashku para Urës së Gurit për gjuhën tonë”, thuhet në njoftimin e studentëve, ku vihet në pah rëndësia e mbrojtjes së përdorimit të gjuhës shqipe në proceset profesionale dhe institucionale.

GJITHË NJËZËRI PËR SHQIPEN/ Mijëra protestojnë

Ambasadori i Shqipërisë në Shkup, Denion Meidani, ka dalë në mbështetje të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Meidani ka publikuar në rrjetet sociale vargje nga poema “Gjuha Shqype” e poetit dhe publicistit, At Gjergj Fishta i cili me penën e tij të fuqishme lartësoi gjuhën shqipe, i dha zë epopesë historike të shqiptarëve, ndërtoi mitin letrar të qëndresës dhe dinjitetit kombëtar si dhe shndërroi fjalën artistike në akt atdhetarie.