GREQI/ “Fëmija im nuk iku, ma morën”, flet babai i 19-vjeçares shqiptare që humbi jetën në Kefaloni nga mbi...
Familjarë, të afërm dhe miq të 19-vjeçares shqiptare Myrto janë mbledhur ditën e djeshme në ceremoninë përkujtimore të 40 ditëve nga ndarja e saj tragjike nga jeta, pas një mbidoze kokaine në Greqi.
Mes dhimbjes dhe lotëve, familja kujtoi të renë përmes fotografive të vendosura gjatë ceremonisë, ku Myrto paraqitej si një engjëll me krahë të bardhë dhe kurorë mbi kokë.
Babai i 19-vjeçares, me zemër të thyer, kërkoi drejtësi dhe dënim maksimal për personat që ai i konsideron përgjegjës për humbjen e vajzës së tij.
“Fëmija im nuk iku, ma morën. Të gjitha ditët dhe netët për ne janë njësoj, një ferr. Flasim me vete dhe presim të shohim Myrtulën tonë në gjumë. Kushdo që është përgjegjës për vdekjen e fëmijës tim duhet të ndëshkohet me dënimin më të rëndë. Engjëlli ynë iku dhe nuk do të kthehet më”, është shprehur ai.

Sipas mediave greke, familja ende pret përgjigjet përfundimtare nga laboratorët mjeko-ligjorë, të cilat pritet të hedhin më shumë dritë mbi rrethanat e vdekjes së 19-vjeçares.

Ngjarja tronditi opinionin publik në Greqi dhe Shqipëri. Më 17 prill 2026, tre persona u lanë në paraburgim me vendim të Gjykatës së Kefalonisë, pasi ndaj tyre u ngrit ndjekje penale e përshkallëzuar në akuzën për “vrasje me mosveprim”, bazuar në nenet 299 dhe 15 të Kodit Penal grek.
Të akuzuarit janë i dashuri 23-vjeçar i Myrtos, një ish-peshëngritës 26-vjeçar dhe një 22-vjeçar me origjinë shqiptare. Për të shmangur tensionet me familjarët dhe miqtë e viktimës, ata u larguan nga ambientet e gjykatës përmes daljes së pasme.

