PROTESTA KUNDËR PROVIMEVE NË MAQEDONISHT/ Studentët marshojnë drejt Ministrisë së Drejtësisë, policia me forca të shtuara
Forca të shtuara policore janë angazhuar sot në Shkup për mbarëvajtjen e protestës së paralajmëruar nga studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare.
Sipas planit të sigurisë, policia do të shoqërojë protestuesit përgjatë gjithë itinerarit, nga Ura e Gurit, ku nis tubimi, deri te Ministria e Drejtësisë, ku pritet të përfundojë protesta.
Studentët janë mbledhur për të protestuar ndaj mosrealizimit të provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe. Ata shprehen se provimi është mbajtur vetëm në gjuhën maqedonase, pavarësisht se gjuha shqipe ka status zyrtar në vend.
Organizatorët kanë bërë thirrje për pjesëmarrje të gjerë, duke e cilësuar këtë çështje si një problem që lidhet me të drejtat gjuhësore dhe trajtimin e barabartë në institucionet publike.
Tubimi zhvillohet nën moton “Bashkohuni me studentët, të gjithë një”, ndërsa nisja e protestës është planifikuar për në orën 16:30, në Urën e Gurit në Shkup.
Pjesëmarrje në këtë protestë ka konfirmuar edhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës, i cili u ka bërë thirrje studentëve dhe qytetarëve që të bashkohen në këtë organizim.

