BE planifikon takim të ri Kosovë-Serbi, kërkohet dialog pa kushte paraprake

Bashkimi Evropian po planifikon organizimin e një takimi të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë, sapo të krijohen kushtet e nevojshme politike për zhvillimin e tij.

Sipas BE-së, palët duhet të ulen në tryezën e dialogut pa vendosur kushte paraprake, në mënyrë që procesi të ecë përpara.

Takimi pritet të thirret nga Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, ndërsa në fokus do të jenë çështje të rëndësishme të marrëdhënieve mes dy vendeve, përfshirë edhe procesin e integrimit evropian dhe mosbllokimin e anëtarësimeve në organizata ndërkombëtare.

Ky qëndrim i Brukselit vjen pas deklarimeve të fundit nga pala serbe për lobim kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

BE-ja ka kujtuar gjithashtu se zbatimi i marrëveshjeve të arritura më parë, përfshirë Marrëveshjen e Ohrit, mbetet kusht kryesor për avancimin e të dyja vendeve në rrugën drejt Bashkimit Evropian.

Sipas këtij qëndrimi, Serbia është zotuar që të mos pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, në kuadër të marrëveshjeve të arritura në procesin e dialogut.