Abuzimi me produktet masakron tregun dhe vjedh konsumatorët/ Rasti "Fanta"

Vjedhja e markës, shitja e produkteve të paautorizuara, pa leje nga prodhuesi, është një vjedhje, është një vepër penale, është një krim, në Shqipëri ështe kthyer në një krim zinxhir, ku përfshihen biznese dhe institucione si doganat, tatimet dhe AKU. Pa folur dhe raportuar më tej se si falsifikohen dhjetëra produkte, të cilat shiten në treg sikur janë origjinale.

CNA prej disa ditësh ka raportuar një fenomen shumë të ndjeshëm për tregjet shqiptare dhe konsumatorin, vjedhjen e markave dhe distribucionit të shumë produkteve. Ne e filluam me verërat dhe ngritëm një alarm sepse vëzhguam në treg dhe gjetëm në restorante e dyqane verëra të shtrenjta, marka, brand-e që shkojnë nga 1.000 apo 2.000 euro shishja, që shiteshin pa pullë fiskale, pa autorizim nga prodhuesi. Ndërkohë që në Shqipëri ka një distributor të autorizuar që paguan taksa, paguan doganë dhe shpenzon për reklamë.

Përtej vjedhjes që i bëhet buxhetit të shtetit, është konkurenca e pandershme, dëmtimi që ju bëhet bizneseve dhe dhe më kryesorja vjedhja që u bëhet qytetarëve me mashtrim. Siç raportojnë dhe në shumë raste portalet, emisionet investigative në Shqipëri, por edhe mediat në Itali apo në Turqi, shumë produkte të këtij lloji, pra verëra, prodhohen nëpër qilarët e jugut të Italisë apo të Turqisë dhe merren e vendosen etiketa dhe nuk dihet se çfarë janë, janë 100% të falsifikuara.

Problemi nuk është vetëm te verërat e shtrenjta dhe te distribucioni i tyre, por edhe te shumë produkte të tjera, të cilat vidhen apo mashtrohet publiku me çmimet dhe etiketat që përdoren. CNA solli rastin e “Coca-Cola”-s, kur në supermarketet shqiptare, që ne i përmendëm me emra, “Conad”, “Spar”, “Alb Market”, “Eco Market”, “Big Market”, “Extra Market”, “Diambe Market”, market “Xhangolli” apo “Pronatyra MD”, shiten “Coca-Cola” italiane. Në fakt, është i njëjti produkt me atë me etiketë shqiptare. A mundet “Coca-Cola” të tolerojë cilësinë, të prishë standardin? Pse ajo që vjen me etiketë italiane na qenka më e mirë se ajo shqiptare? Kur ka një standard, ka një prodhues, ka një markë, është një patentë e kontrolluar. Thjesht dhe vetëm dëmtohet tregu dhe vidhen xhepat e qytetarëve. Imagjinoni, për shembull, të shitej “Coca-Cola” italiane në Greqi, apo grekja në Itali, nuk ndodh. Apo gjermania në Itali dhe italiania në Francë, nuk ndodh.

Është një markë që ka dhënë një licencë për prodhuesin, e kontrollon, e supervizon, është ai që mban emrin, është ai që paguan paratë për reklamat, është ai që e shpërndan. Dhe vete dikush në Itali, mbush një furgon, mbush një kamion, e fut nëpër stendat e supermarketeve, i fut dhe një çmim më të lartë, i vjedh dhe qytetarët në xhepa, e thotë “është italiane kjo, produkt më cilësor”. Në fakt, ajo është një antireklamë që i bëhet vetë produktit sepse, duke përdorur emrin “është italiane” apo “është greke”, godet të njëjtën markë, të njëjtin emër për cilësinë dhe standardin që ka.

RASTI FANTA

Ne dje sollëm “Coca-Cola”-n, sot po sjellim “Fanta”-n. Shikojeni, është e njëjta “Fanta” në vitrinat e supermarketeve shqiptare.

Abuzimi me produktet masakron tregun dhe vjedh konsumatorët/ Rasti

Ajo që është e prodhuar, që ka një zbatim rigoroz të ligjit, pra ka dhe etiketën në shqip, është e shpërndarë nga distributori i autorizuar, dhe produkti tjetër që është italian, një aranxhatë që nuk dihet nga vjen, çfarë është.

Abuzimi me produktet masakron tregun dhe vjedh konsumatorët/ Rasti

Kush e garanton që ajo “Fanta” që shkruan italisht aty nuk është false, nuk është prodhuar si qëmoti në kombinat apo në ndonjë qilar apo bodrum gjëkundi?

Nga hyn? Nga kontrollohet? Çfarë është ky produkt?

Shqipëria po kërkon të hyjë në BE, po a hyhet në këtë formë?! A hyhet duke mos pasur një kontroll mbi tregun, duke mos pasur një kontroll mbi produktin?! Dhe nuk janë vetëm verërat që përmendëm më lart, nuk është vetëm “Coca-Cola”, nuk është vetëm “Fanta” që ne thamë. Sepse kjo që bëhet është një vjedhje, një vjedhje në shumë forma, është shumëdimensionale.

Së pari, duke goditur xhepat e qytetarëve nëpërmjet çmimit, i thonë “kjo është italiane” dhe i bëjnë njerëzit për budallenj dhe u marrin më shumë para.

Së dyti, duke goditur vetë markën, pra prodhuesin dhe distributorin, duke thënë “është më e mirë kjo sesa ajo”. Pse është më e mirë? “Fanta” është njëra, “Fanta” është tjetra, nuk ka ndonjë ndryshim. Është e njëjta linjë prodhimi, është i njëjti standard kontrolli.

Si mundet të lejohet që supermarketet tona të mbushen plot me produkte të huaja, të cilat nuk kanë autorizim për t’u shpërndarë në Shqipëri, nuk kanë leje nga prodhuesi?

Kur vetë “Fanta”, vetë “Coca-Cola”, kur vetë fabrika prodhuese e verës, nuk i ka dhënë një leje ta shesë këtë lloj produkti, shkon çdokush e merr në një magazinë dhe e hedh në treg. Por ky nuk është treg i lirë, nuk është konkurrencë, kjo është anarki, kjo është vjedhje, ky është abuzim.

Dhe këtu kanë përgjegjësi një sërë institucionesh. Së pari, AKU-ja. Së dyti, Doganat dhe Tatimet. Ato që në kufi nuk duhen lejuar të hyjnë në Shqipëri, jo më pastaj t’i gjesh rëndom hapur nëpër vitrina supermarketesh, minimarketesh, pa e ditur nga vijnë, si vijnë. Për të mos drejtuar gishtin, që dhjetëra produkte, të cilat nuk kalojnë nëpërmjet distributorëve të autorizuar dhe nuk kanë autorizim nga prodhuesi, mund të jenë me data skadence të falsifikuara, mund të jenë të prodhuara diku ku nuk dihet, sepse s’kanë origjinën. Origjinën e produktit e garanton vetëm një distributor zyrtar. Në Shqipëri gjen lloj-lloj produktesh, të cilat vijnë nga furnitorë të ndryshëm pa pasur lejen për ta shpërndarë, pa pasur dokumentin që tregon burimin ku është blerë, prodhuesin e vërtetë të tij. Dhe ky është një skandal që ndodh rëndom në Shqipëri.

CNA do të vazhdojë ditë pas dite derisa autoritetet të reagojnë. Me doganat në Kapshticë, në Kakavijë, në Durrës, në Vlorë, në Muriqan, në Qafë-Thanë, me AKU-në, kudo. Me Tatimet, që nuk mund të rrinë vetëm në zyra dhe të firmosin letra apo të bllokojnë llogari për ata që s’paguajnë tatimet, por të shkojnë dhe të kontrollojnë tregun sepse njerëzve po u shiten produkte, të cilave nuk u dihet prodhuesi, po u shiten produkte të cilat nuk janë të garantuara nga distributori, me çmime të shtrenjta. Dhe për më tepër, kur këto i tregton me leje, me autorizim, me licencë një distributor i caktuar, fillojnë dhe bërtasin “po vendoset monopol”. Jo, nuk është monopol të kesh autorizimin nga prodhuesi.

Abuzimi me produktet masakron tregun dhe vjedh konsumatorët/ Rasti

Nuk është monopol të marrësh lejen dhe të tregosh burimin e të bësh shpërndarjen. Është konkurrencë e ndershme në treg midis produkteve të ndryshme. Por s'mund të marrësh të njëjtën markë, të njëjtin produkt, ta sjellësh nga një vend tjetër, ta shesësh edhe më shtrenjtë dhe të sulmosh markën e duke abuzuar me gjuhën, dhe një formë tjetër duke marrë e mbushur xhepat me paratë që të vijnë nga abuzimi me çmimin, por dhe nga shitja e produktit që vjen nëpërmjet reklamës apo marketingut që bën një kompani tjetër, e cila ka kostot e caktuara apo që i është dhënë dhe autorizimi nga vetë prodhuesi.

Po bëhet një vjedhje e pandalshme dhe një abuzim me qytetarët deri në pikën e një paniku dhe frike se nga vijnë këto produkte që nuk kanë certifikimin e prodhuesit.

Dhe të tilla raste kemi parë pafund. Ne kemi sjellë verërat fillimisht, vazhduam me “Coca-Cola”-n, vazhduam me “Fanta”-n, do të vazhdojmë me të tjera produkte shumë të rëndësishme në treg që konsumohen nga qytetarët, derisa institucionet të reagojnë për të bllokuar një herë e mirë tregtimin e produkteve të paautorizuara, të cilat shpërndahen rëndom në treg duke vjedhur xhepat e qytetarëve, por edhe vetë biznesin e duke shkatërruar konkurrencën në treg./CNA