"Hyrja e sendeve të ndaluar në burgje, dobësi kontrolli"/ Softa: Çdo rast duhet verifikuar me kujdes
Në një diskutim për sigurinë në burgjet shqiptare, eksperti i sigurisë Fatjon Softa në studion e Ora News ka ngritur shqetësime për situatën në institucionet e vuajtjes së dënimit.
Ai ka folur për mungesë kontrolli, probleme me disiplinën dhe raste që sipas tij kërkojnë verifikim të thelluar.
Në fokus të diskutimit janë raportimet për takime të veçanta në burgje dhe për hyrjen e sendeve të ndaluara, që sipas ekspertit tregojnë probleme të vazhdueshme në sistemin e sigurisë.
“Çështja e burgjeve lidhet me standardet e sigurisë. Nëse ka raste të hyrjes së lëndëve narkotike, telefonave apo sendeve të ndaluara, kjo tregon dobësi në kontroll dhe në zbatim të rregullave.”-tha ai.
Eksperti kujton se në të kaluarën janë regjistruar edhe incidente të rënda brenda burgjeve, përfshirë ngjarje me armë, probleme me kamerat e sigurisë dhe përdorim të ambienteve të përbashkëta për qëllime të tjera nga të dënuarit.
“Duhet parë më gjerë situata. Jo vetëm si ngjarje të veçuara, por si një zinxhir problemesh që lidhen me kontrollin, financat dhe mënyrën si funksionon sistemi. Çdo rast duhet verifikuar me kujdes dhe hetuar deri në fund.”- u shpreh Softa.
Sipas tij, çdo pretendim për takime të veçanta apo lidhje të të dënuarve me persona jashtë institucioneve kërkon verifikim zyrtar dhe transparencë, për të shmangur keqinformimin dhe për të garantuar funksionimin normal të sistemit të burgjeve.
Autoritetet ende nuk kanë dhënë një reagim të detajuar mbi këto pretendime.

