HETIMET PËR AKSHI-N/ Eksperti i IT-së, Gent Progni, 7 orë në SPAK: Sekret hetimor
Për rreth 7 orë, eksperti i IT-së, Gent Progni, është marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme për dosjen e AKSHI-t.
Në dalje, ai tha se ka dhënë deklarime si person që ka dijeni për çështjen, por edhe si kallëzues, pasi më herët ka depozituar në SPAK kallëzime lidhur me tendera dhe lidhje nepotike në këtë institucion.
Progni nuk dha shumë detaje për mediat, duke u kujdesur që të mos ndikojë në hetimet që po ndiqen nga prokurorët Altin Dumani dhe Bledar Maksuti.
Më herët në SPAK është paraqitur edhe pronari i MCN-së, Endri Meksi.
Për dosjen e AKSHI-t janë nën akuzë 8 persona, mes tyre Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët ndodhen në kërkim nga SPAK.
Ndërkohë, këtë të martë, Mirilda Karçanaj pritet të paraqitet në SPAK në zbatim të masës “detyrim paraqitjeje”, pas vendimit të Gjykatës së Lartë që e nxori nga arresti i shtëpisë.

