TË SHTËNA NË KUÇOVË/ U shoqërua nga policia për prishje qetësie, 45-vjeçari i merr a*mën efektivit 20-vjeçar dhe e plagos

Një incident i rëndë është regjistruar mbrëmjen e sotme në Kuçovë, gjatë shoqërimit të një 45-vjeçari nga policia.

Sipas informacionit paraprak, rreth orës 19:00, shërbimet e Policisë po transportonin shtetasin me iniciale Z. S., nga Komisariati i Fierit drejt Komisariatit të Kuçovës, pasi dyshohej për prishje të qetësisë publike.

Gjatë rrugës, 45-vjeçari është konfliktuar me efektivin e policisë A. T., 20 vjeç, dhe gjatë përplasjes i ka marrë armën e shërbimit, me të cilën e ka plagosur.

Menjëherë ka ndërhyrë patrulla e policisë, e cila ka neutralizuar autorin dhe i ka marrë armën. Punonjësi i policisë është dërguar në spital për ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Pas kontrollit fizik ndaj 45-vjeçarit, policia gjeti të fshehur në trup një sasi lënde narkotike të dyshuar si kokainë.

Për ngjarjen po hetohet nga grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa nën drejtimin e Prokurorisë po verifikohen edhe procedurat e ndjekura gjatë shoqërimit të të dyshuarit.