"Zëri i medias duhet të dëgjohet"/ Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Michel Tarran: Gazetaria, institucion ku duhet të jepet llogari!

Liria e medias, siguria e gazetarëve dhe pavarësia editoriale po përballen me sfida në rritje në mbarë botën, përfshirë edhe Evropën. Përfaqësues të mediave nga Evropa Juglindore u mblodhën në Tiranë për të diskutuar mbi kërcënimet ndaj gazetarisë dhe demokracisë. Përfaqësuesi për Lirinë e Medias në OSBE, deklaroi se dobësimi i gazetarisë ndikon drejtpërdrejt në cilësinë e demokracisë dhe besimin publik.

Liria e medias, siguria e gazetarëve, por edhe cilësia e etika në informim, janë të cënuar në të gjithë globin, që nga siguria ekonomike, pavarësia editoriale tek vetë siguria fizike. Raportet ndërkombëtare ngrenë alarmin për përkeqësim të lirisë së medies edhe në Evropë.

Për këtë tema e Lirisë së Medies bëri bashkë dhjetëra përfaqësues të medieve në Evropën Juglindore, në kryeqytetin tonë, nga ku përfaqësuesi i lartë prë Lirinë e Medias në OSBE, Jan Braathu, theksoi nevojën e lirisë së shtypit, të cilën e konsideron si themelin e demokracisë. 

JAN BRAATHU: Dhe vetë gazetarët po përballen me rreziqe në rritje — nga dhuna online, shpesh me natyrë gjinore, deri tek presioni ligjor dhe politik dhe sulmet fizike. Duhet të jemi të qartë për çfarë do të thotë kjo. Kur gazetaria dobësohet, pasojat nuk kufizohen vetëm tek sektori i medias. Ato ndikojnë cilësinë e debatit publik, aftësinë për të mbajtur pushtetin përgjegjës dhe qëndrueshmërinë e përgjithshme të institucioneve demokratike dhe sigurisë sonë të përbashkët.

Përballë këtyre rreziqeve, shefi i Diplomacisë Shqiptare, Ferit Hoxha, garantoi se Shqipëria mbetet e përkushtuar për forcimin e lirisë së medias dhe mbrojtjen e sigurisë së gazetarëve me standardet evropiane.

Ferit Hoxha: Në një epokë të shënuar nga dezinformimi, polarizimi dhe realitetet dixhitale që evoluojnë me shpejtësi, mbrojtja e integritetit dhe pavarësisë së gazetarisë është më e rëndësishme se kurrë. Një mjedis më i sigurt për gazetarët dhe profesionistët e medias është thelbësor jo vetëm për institucione më të forta demokratike dhe besim më të madh publik, por edhe për shoqëri më të qëndrueshme, më të informuara dhe më të shëndetshme.

“Më vjen mirë që shoh një grup pjesëmarrës këtu, gazetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe vendimmarrës. Tema e kësaj konference është në kohën e duhur, gazetaria është institucion ku duhet të jepet llogari.

Hapësirat për publikun në Europë dhe kudo po marrim forma të reja. Ne shohim se sa të përbashkëta janë këto sfida.

Rënia e besimit te institucionet, korrupsioni, janë pasoja që rëndojnë ndaj nesh. Përpjekjet tona duhet të koordinohen mbi baza demokratike.

Duhet të mbështesim lirinë e medias, duke përmirësuar kuadrin ligjor, duke nxitur dialogun. Siguria sot nuk është çështje territoresh, por çështje hapësirash.

Më lejoni që t’ju tërheq vëmendje te Shqipëria. Janë marrë masa për përmirësimin e punës për gazetarët. Pronësia e medias, transparenca, detyrimet, janë përmirësuar. Komuniteti i medias në Shqipëri është aktiv.

Zëri i tyre duhet të dëgjohet dhe ata të angazhohen. Nevojitet për të forcuar transparencën dhe mbrojtjen ligjore.

Gazetarët duhet të punojnë në kushtet më të larta dhe brenda etikës. Prezence e OSBE do të vazhdojë të punojë më shumë për forcimin e rolit të gazetarëve”, tha diplomati Tarran.