Rama në Estoni në Konferencën Lennart Meri 2026/ Zbardhet agjenda e Kryeministrit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po zhvillon sot një vizitë pune në Tallinn të Estonisë, ku merr pjesë në Konferencën Lennart Meri 2026, një forum ndërkombëtar që fokusohet në politikën e jashtme, sigurinë dhe çështjet gjeopolitike globale.
Në këtë konferencë, Rama është i ftuar në panelin hapës ku diskutohet për të ardhmen e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Evropës, rolin e NATO-s në Evropë, si dhe situatën e sigurisë në Ukrainë dhe ndikimin e saj në arkitekturën e re të sigurisë europiane.
Gjatë vizitës në Estoni, ai pritet të takohet me kryeministrin estonez Kristen Michal, fillimisht në një takim kokë më kokë dhe më pas edhe me delegacionet përkatëse. Po ashtu, është parashikuar një takim edhe me presidentin e Estonisë, Alar Karis.
Në agjendë përfshihet edhe vizita në Qendrën e NATO-s për Mbrojtjen Kibernetike në Tallinn, ku diskutimet do të fokusohen në sigurinë digjitale dhe mbrojtjen nga sulmet kibernetike.
Rama do të ndalet gjithashtu në Memorialin e Viktimave të Komunizmit dhe në qendrën e inovacionit digjital “e-Estonia”, e njohur për zhvillimin e shërbimeve moderne shtetërore.
Gjatë qëndrimit në Estoni, ai do të japë edhe një intervistë për mediat lokale, ku pritet të flasë për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian dhe reformat e vendit në këtë drejtim.

