Sorensen me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë flasin për normalizimin e marrëdhënieve

 Sorensen me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë flasin

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen, theksoi se gjatë kësaj jave ka takuar kryenegociatorin e Kosovës, Agron Bajramin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviq.

Sorenseni tha se takimet ishin të ndara dhe të hollësishme për të përcaktuar planin e punës për normalizimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve.

“Këtë javë, mbajtëm takime të ndara dhe të detajuara me dy kryenegociatorët në Bruksel për ta përcaktuar planin tonë të punës për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë për muajt e ardhshëm”, shkroi Sorensen në “X”, transmeton KosovaPress.

Dialogu në mes Kosovës e Serbisë ka muaj që ka ngecur, ku nuk ka pasur asnjë takim qoftë në nivel të kryenegociatorëve apo takime të nivelit të lartë.

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Kaja Kallas, së fundi ka deklaruar se takimet e nivelit të lartë po shtyhen për shkak të zgjedhjeve të shpeshta në Kosovë.