Stërvitje e përbashkët për herë të parë Serbi-NATO pranë Bujanocit/ Rreth 600 ushtarakë nga disa vende në manovra paqeruajtëse
Në bazën ushtarake “Jugu” dhe në poligonin “Borovc” pranë Bujanocit në Serbi kanë nisur stërvitjet e para të përbashkëta mes ushtrisë serbe dhe forcave të NATO-s.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Serbisë, stërvitjet do të zgjasin deri më 23 maj dhe po zhvillohen me pjesëmarrjen e rreth 600 ushtarakëve nga Serbia, Italia, Rumania dhe Turqia.
Në aktivitet janë të pranishëm edhe vëzhgues dhe planifikues ushtarakë nga disa vende të tjera, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Gjermaninë, Francën, Britaninë e Madhe dhe Malin e Zi.
Gjatë stërvitjeve po praktikohen skenarë të ndryshëm të operacioneve paqeruajtëse, si siguria në baza, kontrolli i pikave të kalimit, menaxhimi i turmave dhe luftimet në zona urbane.
Autoritetet serbe thonë se këto ushtrime janë pjesë e bashkëpunimit me NATO-n në kuadër të programit “Partneriteti për Paqe” dhe kanë për qëllim rritjen e aftësive ushtarake dhe bashkëpunimit mes vendeve pjesëmarrëse.
Serbia është pjesë e këtij programi që nga viti 2006, ndërsa në të njëjtën kohë deklaron se mban politikë të neutralitetit ushtarak.
Në vitet e fundit, vendi ka zhvilluar stërvitje edhe me Shtetet e Bashkuara, Kinën, ndërsa ka reduktuar bashkëpunimin ushtarak me Rusinë pas vitit 2022.

