Irani ngre tonet: Pasurimi i uraniumit nuk do të diskutohet në asnjë tryezë negociatash

Parlamenti i Iranit ka bërë të ditur se programi bërthamor i vendit dhe procesi i pasurimit të uraniumit nuk do të diskutohen në asnjë negociatë ndërkombëtare.

Zëdhënësi i Komisionit për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme, Ebrahim Rezaei, duke iu referuar drejtuesit të Organizatës së Energjisë Atomike të Iranit, Mohammad Eslami, tha se teknologjia bërthamore nuk është pjesë e bisedimeve me jashtë dhe as pasurimi i uraniumit nuk mund të negociohet.

Gjatë mbledhjes së komisionit, deputetët iranianë kanë kërkuar forcimin e sigurisë së objekteve bërthamore dhe ruajtjen e kapaciteteve ekzistuese të vendit në këtë fushë.

Sipas raportimeve nga mediat në Iran, disa ligjvënës kanë vënë në dyshim edhe qëndrimin e vendit në Traktatin për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore.