Netanyahu për Mojtaba Khamenei: Mendoj se është gjallë, por i fshehur në bunker dhe pa autoritet të plotë
Benjamin Netanyahu ka folur për gjendjen e udhëheqësit suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, duke thënë se sipas informacioneve që ka, ai është ende gjallë.
Në një intervistë për emisionin “60 Minutes” në CBS News, Netanyahu tha se është e vështirë të dihet gjendja e saktë e Khameneit, por mendon se ai po qëndron i fshehur në një bunker ose në një vend sekret.
“Ai po përpiqet të ushtrojë autoritetin e tij, por nuk besoj se ka të njëjtin ndikim që kishte i ati”, tha kryeministri izraelit.
Mojtaba Khamenei mori drejtimin e Iranit pasi babai i tij, Ali Khamenei, humbi jetën gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së dhe Izraelit në fillim të luftës.
Pas atyre sulmeve, Khamenei nuk është shfaqur më në publik, duke ngritur dyshime për gjendjen e tij shëndetësore.
Sipas raportimeve, ai besohet të jetë plagosur rëndë në të njëjtin sulm ku u vranë edhe pesë anëtarë të familjes së tij.
Nga ana tjetër, agjencia iraniane Fars News Agency raportoi se Khamenei është takuar së fundmi me një komandant ushtarak dhe ka dhënë udhëzime të reja për vazhdimin e operacioneve dhe përballjen me kundërshtarët.

