"Rusia pa përparim në front"/ Kallas: Putin në pozitën më të dobët që ka qenë ndonjëherë

Shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, ka folur pas një takimi me ministrat e vendeve anëtare, ku është diskutuar edhe situata e luftës në Ukrainë dhe deklaratat e presidentit rus Vladimir Putin se konflikti po i afrohet fundit.

Sipas saj, Rusia nuk është në përparim në fushëbetejë dhe po përballet me vështirësi gjithnjë e më të mëdha, ndërsa edhe brenda vendit po vërehet pakënaqësi në rritje.

Ajo shtoi se Putini ndodhet në një pozicion më të dobët se më parë.

Megjithatë, Kallas vlerësoi se situata ende nuk ka arritur në një fazë ku mund të nisin negociata serioze, pasi Moska vazhdon të mbajë kërkesa të forta dhe të pandryshuara.

Për Ukrainën, ajo tha se gjendja është më e mirë krahasuar me një vit më parë, por situata mbetet e vështirë dhe nuk ka vend për vetëkënaqësi.

Ajo shtoi se Bashkimi Evropian mbetet i angazhuar për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, ndërsa për çdo rol më aktiv të BE-së në procesin e paqes duhet më parë një qëndrim i përbashkët mes vendeve anëtare për mënyrën e dialogut me Rusinë dhe për kufijtë që nuk duhen kaluar.