Presidenti finlandez: Koha që Evropa të fillojë të flasë drejtpërdrejt me Rusinë!

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, ka deklaruar se beson që qeveritë evropiane duhet të angazhohen drejtpërdrejt me Rusinë, duke shtuar se paqja nuk është në tryezë, të paktën për këtë vit.

“Është koha të fillojmë të flasim me Rusinë. Kur do të ndodhë kjo, nuk e di”, tha Stubb në një intervistë për të përditshmen italiane Corriere della Sera.

Presidenti finlandez tha se beson se politika e SHBA-së ndaj Rusisë dhe Ukrainës nuk është më në përputhje me interesat e Evropës, prandaj Evropa duhet të angazhohet drejtpërdrejt me Moskën.

“Besoj se paqja nuk është në tryezë, të paktën për këtë vit”, tha ai, duke shtuar se evropianët kanë diskutuar se kush do të vendosë kontakt me Rusinë, por shtoi se “ende nuk e dimë”.

“Gjëja më e rëndësishme është që gjithçka të jetë e koordinuar mes nesh, veçanërisht mes E5-tës (Gjermania, Franca, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Polonia) dhe vendeve nordike dhe baltike që janë në kufi. Nëse do të jetë një i dërguar special apo një grup liderësh, do ta shohim”, theksoi ai.

I pyetur nëse liderët evropianë kishin të drejtë që nuk mbështetën SHBA-në në luftën e saj me Iranin, Stubb tha se përgjigjja evropiane lidhet me faktin se presidenti amerikan, Donald Trump, nuk i konsultoi ata para sulmit.

“Tani shpresojmë që amerikanët dhe iranianët të gjejnë një zgjidhje, një armëpushim të qëndrueshëm. Ata duken afër. Në atë pikë, çdo iniciativë që mund të rihapë Ngushticën e Hormuzit duhet të përfshijë edhe Evropën”, shtoi ai.