Mas*kër në veri të Nigerisë/ Vr*ten 40 civilë, ushtria kundërpërgjigjet me sulme ajrore
Në veri të Nigerisë janë raportuar sulme të armatosura që kanë lënë të paktën 40 persona të vrarë gjatë së dielës.
Sipas raporteve të sigurisë të përgatitura për United Nations dhe të publikuara nga AFP, ngjarja më e rëndë ka ndodhur në shtetin Zamfara, ku persona të armatosur kanë ngritur pritë ndaj udhëtarëve në rrugën Magami-Dansadhu në zonën Gusau.
Aty kanë humbur jetën rreth 30 persona, mes tyre civilë, gjuetarë dhe një roje komuniteti, ndërsa disa të tjerë janë plagosur.
Pas sulmit, forcat e sigurisë kanë ndërhyrë dhe janë përfshirë në shkëmbim zjarri me autorët e dyshuar, ku raportohet se disa prej tyre janë vrarë.
Në një tjetër sulm në shtetin Katsina, po të njëjtën ditë, janë vrarë edhe 12 persona të tjerë, në një zonë që prej kohësh është e prekur nga aktiviteti i bandave të armatosura.
Veriu i Nigerisë po përballet prej vitesh me pasiguri të lartë, ku grupet kriminale kryejnë sulme, grabitje dhe rrëmbime për shpërblim, ndërsa në disa zona janë aktive edhe grupe ekstremiste.
Presidenti Bola Tinubu ka shpallur më herët gjendje të jashtëzakonshme sigurie për shkak të përkeqësimit të situatës.
Ndërkohë, ushtria nigeriane ka bërë të ditur se gjatë operacioneve në Zamfara dhe shtetin Niger janë vrarë disa persona të dyshuar si pjesë e grupeve të armatosura. Sipas saj, në një sulm ajror janë eliminuar rreth 70 persona, por banorët vendas kanë raportuar edhe viktima civile, përfshirë 13 persona në një fshat të zonës.

