Franca në alarm për Hantavirusin/ Përkeqësohet gjendja e pasagjeres së riatdhesuar nga anija, nisin karantinat masive
Autoritetet franceze kanë rritur gatishmërinë pas konfirmimit të një rasti me hantavirus te një pasagjere franceze e riatdhesuar nga anija turistike MV Hondius. Menjëherë janë aktivizuar protokollet e gjurmimit të kontakteve dhe izolimit.
Gruaja është një nga pesë pasagjerët francezë që u dërguan në izolim në Spitalin Bichat në Paris. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, gjendja e saj është përkeqësuar dhe analizat laboratorike kanë konfirmuar infeksionin.
Autoritetet kanë vendosur që të gjithë personat e kontaktit të ngushtë të qëndrojnë në karantinë dhe nën monitorim për disa javë.
Në total janë identifikuar rreth 22 kontakte të dyshuara, ndërsa disa pasagjerë të tjerë nga fluturime lidhur me kthimin e turistëve janë vendosur gjithashtu në izolim si masë parandaluese. Shërbimet shëndetësore po vijojnë gjurmimin për të ndalur çdo përhapje të mundshme.
Qeveria franceze po ndjek situatën nga afër dhe ka zhvilluar takime për vlerësimin e rrezikut dhe masave të mëtejshme. Autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të mos krijojnë panik, duke e cilësuar rastin si të menaxhueshëm me protokollet ekzistuese.
Ndërkohë, në Ishujt Kanarie janë raportuar shqetësime publike pas pamjeve të disa pasagjerëve që nuk respektonin plotësisht masat mbrojtëse, çka ka rikthyer debatet për menaxhimin e situatave shëndetësore në udhëtime ndërkombëtare.
Organizata Botërore e Shëndetësisë ka reaguar duke bërë të ditur se situata është nën monitorim dhe nuk ka shenja për një emergjencë të re globale, por rastet po hetohen me kujdes pasi lidhen me ekspozim të mundshëm gjatë udhëtimit në anijen MV Hondius.

