BE, 200 MLN EURO SHQIPËRISË E MALIT TË ZI! Komisionerja e Zgjerimit zbulon “pakon” e re të Planit të Rritjes për Ballkanin
Bashkimi Europian do të disbursojë në ditët në vijim 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Komisionerja e Zgjerimit ndau këtë vendim në takimin mes ministrave të Jashtëm të vendeve të BE me ata të Ballkanit Perëndimor. Shefi I diplomacisë shqiptar se rëndësinë e procësit të anëtarësimit të bazuar në meritë por edhe të besueshëm të prekshëm për qytetarët
Bashkimi Europian do të japë në ditët në vijim edhe 200 milionë euro për Shqipërinë dhe Malin e Zi, si pjesë e planit të rritjes së Ballkanit Perëndimor.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ndau këtë vendim nga Brukseli para një takimi që bëri bashkë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor me shefat e diplomacisë së vendeve anëtare të Unionit.
MARTA KOS: “Në zbatimin e Planit të Rritjes gjithçka po ecën shumë mirë dhe në ditët në vijim do të disbursojmë afro 200 milionë euro për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Gjithashtu po sjellim rezultate konkrete përsa i përket integrimit gradual, pasi, siç e dini, javën e kaluar edhe Serbia iu bashkua Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në SEPA”.
Samiti i radhës mes Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor do të mbahet më 5 qershor në Podgoricë të Malit të Zi dhe Kos theksoi pritshmëritë që Unioni ka për vendet e rajonit.
MARTA KOS: “Ndërkohë po përgatisim samitin BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Podgoricë më 5 qershor, dhe pres një angazhim shumë të fortë nga të gjithë kandidatët e Ballkanit Perëndimor për të qëndruar të palëkundur në rrugën e tyre europiane”.
Shefja e diplomacisë së BE-së, Kaja Kallas, ndërkohë foli për nevojën e bashkëpunimit të ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor, jo vetëm për të çuar përpara reformat në rrugën integruese, por në përballjet me sfidat që ato përballen.
KAJA: “Kemi po ashtu si çështje në diskutim edhe bashkëpunimin në lidhje me përballjen e këtyre shteteve me kërcënimet hibride që paraqiten edhe në këtë rajon pasi ne konsiderojmë si sulme kundër demokracisë së tyre. Ajo që presim prej këtyre shteteve është harmonizimi me politikën tonë të jashtme dhe të sigurisë dhe reformat që duhet të bëjnë”.
Shefi i diplomacisë, Ferit Hoxha, theksoi se për Shqipërinë, zgjerimi i BE-së është një zgjedhje strategjike, si garancia më e fortë për paqe afatgjatë, stabilitet dhe transformim demokratik.
Hoxha: “Besojmë gjithashtu se zgjerimi është po aq i rëndësishëm edhe për vetë Bashkimin Europian, siç është dëshmuar nga shtatë ciklet e mëparshme të zgjerimit. Ky proces duhet të mbetet i bazuar në meritë, sigurisht, por edhe i besueshëm, i prekshëm dhe i ndjekur aktivisht”.
Ministri i Jashtëm pati takime me kolegë nga vendet anëtare të BE-së, me të cilët thotë se diskutoi për forcimin e bashkëpunimit në synimin e Shqipërisë për nisjen e mbylljes së negociatave për anëtarësim të plotë në Union.
