“Prokurimet publike”, Kashta: BE e konsideron sistemin e prokurimit publik në Shqipëri në nivelin e shteteve anëtare

Në vijim të takimit, takim me negociatorët për Kapitullin 5 të anëtarësimit në BE, që mbulon prokurimet publike, drejtuesja e Agjencisë së Prokurimit Publik, Reida Kashta, ofroi një pasqyrë më të detajuar të procesit.

Ajo theksoi se ky kapitull, si pjesë e grup-kapitujve themelorë, ka një rëndësi strategjike dhe fakti që është hapur pa kushte të ndërmjetme është një shenjë pozitive e nivelit të përgatitjes së vendit.

Një arritje e rëndësishme, sipas saj, është mbështetja pa rezerva e Bashkimit Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në Marrëveshjen Ndërqeveritare të Prokurimeve (GPA) pranë Organizatës Botërore të Tregtisë.

“Kjo nënkupton që Bashkimi Europian e konsideron sistemin e prokurimit publik në Shqipëri të maturuar në nivelin e shteteve anëtare, çka i hap vendit akses në një treg global përtej BE-së,” shpjegoi ajo.

Performanca pozitive e Shqipërisë konfirmohet edhe nga vlerësime të jashtme. Raporti i fundit i SIGMA-s e rendit Shqipërinë të parën në Ballkanin Perëndimor për sistemin e prokurimeve publike, duke ia kaluar edhe Malit të Zi, i cili tashmë e ka mbyllur këtë kapitull. Gjithashtu, vendi është vlerësuar nga Banka Botërore (PEFA) dhe për herë të parë është përfshirë në monitorimin e portalit “OpenTender.eu”, i cili më parë mbulonte vetëm vendet anëtare të BE-së.

Të dhënat dhe vlerësimet e paraqitura tregojnë një progres solid të Shqipërisë në fushën e prokurimeve publike, duke krijuar një bazë të fortë argumentuese në rrugën e saj drejt përmbylljes me sukses të këtij kapitulli kyç për anëtarësimin në Bashkimin Europian.