Andoni “dekonspiron” Veliajn: Po zvarritet me procedura, por me akuzat do e ketë të vështirë përballë drejtësisë
Analisti Ben Andoni, në një analizë të situatës së fundit ligjore ku përfshihet kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, e ka cilësuar strategjinë e tij mbrojtëse si një përpjekje për të komplikuar qëllimisht procesin gjyqësor, me synimin për të fituar kohë dhe për të zbutur presionin publik dhe ligjor.
Sipas Andonit, veprimet e ndërmarra nga pala mbrojtëse e zotit Veliaj, përfshirë pretendimin kundër prokurorit Olsi Dado në Gjykatën Administrative, janë pjesë e një taktike për të krijuar hapësirë manovrimi përballë akuzave të shumta.
“Mbrojtja e zotit Veliaj po e komplikon akoma më shumë për të fituar të gjithë hapësirën e nevojshme, e para për zbutjen e presionit që është mbi të, por edhe për të përfituar sa më shumë”, deklaroi analisti në intervistën e tij dhënë për “Ora News”.
Ai parashikon një përballje “jashtëzakonisht të vështirë” për kryebashkiakun përballë drejtësisë.
Një element që bie në sy, sipas Andonit, është mungesa e mbështetjes publike nga figura të rëndësishme politike, qoftë nga rrugëtimi i tij politik apo edhe nga vetë Partia Socialiste. Kjo sugjeron se Veliaj po përballet me këtë betejë ligjore i vetëm, duke u fokusuar më shumë në aspektin procedural sesa në thelbin e akuzave.
E gjithë beteja ligjore, thekson ai, është përqendruar te procedurat dhe përballja me prokurorin e çështjes, duke e zhvendosur vëmendjen nga akuzat themelore. Shtyrja e vendimit nga Gjykata Administrative tregon se çështja do të jetë e koklavitur dhe se do të përdoren të gjitha lëvizjet e mundshme që vëmendja të mbetet te procedurat.
Diskutimi ngriti gjithashtu shqetësimin mbi tendencën e zyrtarëve të lartë që, kur përballen me drejtësinë, aludojnë për presione institucionale. Andoni e vë këtë në kontrast me realitetin e hidhur të qytetarëve të thjeshtë, dosjet e të cilëve presin pa fund në sistemin e drejtësisë. “Përgjigjja më e mirë janë ato dosjet e pafund që presin tashmë për njerëzit e thjeshtë, për të cilët nuk kujtohet asnjë njeri. Dhe kjo është tragjedia më e madhe”, përfundoi ai, duke theksuar pabarazinë përpara ligjit.
PJESË NGA INTERVISTA
Ben Andoni: Po besoj që është një proces shumë i komplikuar që mbrojtja e zotit Veliaj po e komplikon akoma më shumë për të fituar të gjithë hapësirën e nevojshme.
E para për zbutjen e presionit që është, të themi mbi të, por edhe për të përfituar sa më shumë që zoti Veliaj të jetë sa më i lirë përballë akuzave të shumta që ka mbi vete.
Ju e patë sot që gjykata ia hodhi poshtë të paktën që çështja e tij të ishte krejtësisht e hapur. Unë besoj që përballë drejtësisë, zoti Veliaj do ketë një përballje jashtëzakonisht të vështirë. E para sepse po ta shikoni me kujdes, edhe sot, njerëzit pranë tij, dhe këtu kam në kokë të paktën qoftë njerëz të rrugëtimit të tij politik, por qoftë edhe nga Partia Socialiste mungonin.
Ndërkohë që më shumë zoti Veliaj është marrë me pjesën simbolike se sa të themi me atë përballjen shumë të vështirë që ka. Dhe nga ana tjetër, ju e keni parasysh që çështja e tij po merret më shumë me procedurat dhe e gjithë përballja tani është përballja me prokurorin kryesor të tij, Olsi Dadon.
Ju e dini që tashmë Gjykata Administrative ka shtyrë vendimin për të, dhe kjo tregon në njëfarë mënyre që çështja do jetë shumë e koklavitur dhe mbi të gjitha do bëhen të gjitha, të themi, lëvizjet e duhura që më shumë të flitet për procedurat sesa të flitet për akuzat.
Po ka një gjë që mua më shqetëson në gjithë këtë proces. Pa diskutim që jo vetëm në rastin e zotit Veliaj, por ne kemi pasur edhe raste të tjera të politikanëve apo ushtruesve të detyrave të rëndësishme, funksionarëve të lartë publik dhe shtetërorë, të cilët në momentin kur janë vendosur në situata, po themi përballë drejtësisë, kanë folur në mos drejtpërsëdrejti, kanë lënë edhe të kuptohet për presion institucional, për institucione të cilat harmonizohen qëllimisht për t'iu kundërvënë e të tjerë.
Në sytë e publikut, nëse dëgjojmë zotin Plarent Ndreca në këtë rast duke pasur një pretendim të tillë, dhe nëse supozojmë që është ashtu, çfarë do të thotë kjo për një qytetar të thjeshtë i cili shkon për të kërkuar drejtësi?
Ben Andoni: Shikoni, unë po jua thjeshtoj përgjigjen. E para nga diçka që ne të dyve dhe gjithë njerëzve sot u mungon, u mungon një aspekt i madh, që të ketë një analizë publike, një analizë sasiore që njerëzit të shprehin mendimin për drejtësisë. Por gjithsesi ne kemi një përgjigje dhe përgjigjet më e mirë janë ato dosjet e pafund që presin tashmë për njerëzit e thjeshtë, për të cilët nuk kujtohet asnjë njeri. Dhe kjo është tragjedia më e madhe. Ndërsa për çështje të tilla që janë figura publike dhe kuptohet kanë rëndësinë e tyre...


