"Integrimi europian po shitet si propagandë"/ Tabaku 'shpërthen' në Kuvend: Shqipëria ra 11 vende në korrupsion
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka akuzuar qeverinë se po e paraqet procesin e integrimit europian si një histori suksesi, ndërsa sipas saj realiteti në vend tregon probleme të thella me korrupsionin, zgjedhjet dhe lirinë e medias.
Nga foltorja e Kuvendit, Tabaku tha se integrimi nuk mund të reduktohet te miratimi i ligjeve apo propaganda politike, por duhet të reflektohet në jetën e qytetarëve, në ekonomi funksionale, shtet ligjor dhe institucione të pavarura.
Ajo iu referua raportit të fundit të Parlamentit Europian për Shqipërinë, ku sipas saj evidentohen problematika serioze për nivelin e korrupsionit, presionin ndaj medias dhe standardet zgjedhore.
Sipas Tabakut, raporti përmend edhe shqetësimet e ngritura nga OSBE-ODIHR për terren të pabarabartë në zgjedhje, blerje votash dhe presion ndaj qytetarëve gjatë proceseve elektorale.
Deputetja demokrate u ndal edhe te çështja e medias, duke thënë se sulmet ndaj gazetarëve të pavarur dhe presioni ekonomik ndaj mediave janë sinjale shqetësuese për demokracinë në vend.
Në fund të fjalës së saj, Tabaku tha se një vend që synon Bashkimin Europian duhet të ndërtojë standarde reale demokratike dhe jo të mbështetet te propaganda politike.

