“BE kërkon rezultate”/ Analisti Gaba: Shqipëria po përballet me problemet e shtetit ligjor

Analisti Gentian Gaba, i ftuar në studion e Ora News, foli për procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe klimën politike që po shoqëron negociatat me Bashkimin Europian.

Sipas tij, procesi kërkon bashkëpunim të gjerë politik dhe institucional, ndërsa përplasjet mes mazhorancës dhe opozitës po e bëjnë më të vështirë avancimin drejt BE-së.

Gaba u ndal te përgjegjësia që, sipas tij, mban qeveria për ritmin e reformave dhe për problematikat që vazhdojnë të evidentohen në raportet ndërkombëtare.

“Ne kemi një pushtet që prej vitit 2013 qeveris vendin dhe prej 2017-ës e mban i vetëm pushtetin. Ka pasur gjithë kohën për t’i dhënë shtysë integrimit, por herë pas here janë bërë gabime dhe korrupsioni vazhdon të përmendet edhe në raportet e Parlamentit Europian.”-tha Gaba.

Ai komentoi edhe rolin e opozitës në proces, duke thënë se mungesa e një bashkëpunimi të plotë politik mbetet një problem real për integrimin.

“Procesi i integrimit kërkon bashkëpunimin e gjithë shoqërisë dhe të gjithë spektrit politik. Pa këtë bashkëpunim është e vështirë të ecet përpara me ritmin që kërkon Bashkimi Europian.”-u shpreh analisti.

Sipas Gabës, metodologjia e re e integrimit e miratuar nga BE-ja e vendos theksin kryesor te demokracia, shteti i së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit.

Ai kujtoi se këta kapituj hapen të parët dhe mbyllen të fundit, çka e bën vendimtare ecurinë në këto fusha për të ardhmen europiane të Shqipërisë.

NDIQNI INTERVISTËN E PLOTË NË ORA NEWS: