Zëvendësguvernatorja Ahmetaj në dialogun BE–rajon në Bruksel: Shqipëria me stabilitet ekonomik
Zëvendësguvernatorja e Bankës së Shqipërisë Natasha Ahmetaj mori pjesë në “Dialogun vjetor Ekonomik dhe Financiar midis BE-së dhe partnerëve rajonalë”, të zhvilluar në Bruksel në kuadër të takimit të Këshillit ECOFIN.
Në këtë takim të nivelit të lartë, të organizuar nga Presidenca e Këshillit të Bashkimit Evropian, morën pjesë përfaqësues të institucioneve evropiane dhe vendeve partnere të rajonit.
Ahmetaj vlerësoi se zhvillimet gjeopolitike dhe konfliktet ndërkombëtare mbeten një burim rreziku për ekonomitë e hapura, përmes ndikimit në çmimet e energjisë dhe pritjet inflacioniste.
Ajo theksoi se ekonomia shqiptare paraqitet me tregues të qëndrueshëm makroekonomikë, duke veçuar inflacionin e kontrolluar dhe stabilitetin e sistemit bankar si faktorë kyç në përballimin e goditjeve të jashtme.
Zëvendësguvernatorja nënvizoi rëndësinë e politikave fleksibël ekonomike dhe bashkëpunimit ndërkombëtar për forcimin e stabilitetit financiar dhe reduktimin e pasigurive në tregje.
Në përfundim, ajo e cilësoi dialogun si një platformë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit mes Bashkimit Evropian dhe partnerëve rajonalë në funksion të stabilitetit ekonomik dhe financiar.
