Zhduket ish-modelja që denoncoi për herë të parë Epstein, gjendet në burg në SHBA pas kërkimeve ndërkombëtare

Elisabetta Ferretto, ish-modelja 50-vjeçare nga Montagnana e Italisë, është gjetur pas disa ditësh kërkimi dhe aktualisht ndodhet në një burg në Florida, SHBA.
Autoritetet italiane kishin raportuar zhdukjen e saj pasi familjarët humbën kontaktin me të rreth datës 22 prill, menjëherë pas kthimit të saj nga pushimet në Itali.
Telefoni i saj u fik dhe llogaritë në rrjete sociale u bënë të paarritshme, duke shtuar shqetësimin e të afërmve.
Pas denoncimit në Itali, çështja u ndoq edhe në rrugë ndërkombëtare dhe Interpoli konfirmoi vendndodhjen e saj në SHBA.
Me kërkesë të autoriteteve italiane, ajo u lokalizua dhe u vendos në një institucion ndalimi në Florida. Për momentin nuk janë bërë publike detaje të plota mbi arsyet e ndalimit të saj.
Familjarët kanë thënë se u lehtësuan pasi morën konfirmimin se ajo është gjallë dhe nën kujdesin e autoriteteve amerikane, edhe pse ende nuk kanë informacion të plotë mbi situatën ligjore.
Ferretto është bërë e njohur në të kaluarën si një nga gratë që ka folur publikisht për përvojat e saj me financierin Jeffrey Epstein, por autoritetet nuk kanë lidhur ende zyrtarisht ndalimin e saj aktual me këto deklarime të mëparshme.

