Zhvasnin hotelet luksoze të Italisë veriore/ Arrestohen tre 'skifterët' pas ndjekjes nga policia
Tre shqiptarë janë arrestuar në Itali, pasi dyshohet se ishin pjesë e një grupi që kryente grabitje në hotele luksoze në veri të vendit.
Sipas mediave italiane, ata u kapën pas një ndjekjeje në autostradën A22, ku u përpoqën t’i shpëtonin policisë gjatë operacionit për ndalimin e tyre.
Ngjarja ka ndodhur në orët e para të 2 majit, por është bërë publike më vonë nga autoritetet italiane. Të dyshuarit po udhëtonin me një makinë tip “Alfa Romeo Giulietta” pasi dyshohet se kishin kryer disa vjedhje në hotele në zonën Naz-Sciaves, në Bolzano.
Policia vendosi një postbllok për t’i ndaluar, por drejtuesi i mjetit nuk u bind dhe u përplas me një automjet të karabinierëve. Pas përplasjes dhe një ndjekjeje, tre personat u arrestuan.
Dy efektivë policie mbetën të plagosur lehtë.
Brenda makinës u gjetën bizhuteri, para cash, si dhe vegla që dyshohet se janë përdorur gjatë grabitjeve, si pinca dhe kaçavida, si edhe rroba të ndryshme.
Hetimet tregojnë se grupi dyshohet për disa vjedhje në hotele luksoze në zonat Badia, Chienes dhe Scena.
Të arrestuarit akuzohen për vjedhje të rëndë në bashkëpunim, rezistencë ndaj policisë dhe dëmtim prone. Gjykata italiane ka vendosur masën e arrestit me burg për të tre. Për njërin prej tyre rezulton edhe një urdhër i mëparshëm arresti, pasi dyshohet se kishte përdorur identitet të rremë për t’iu shmangur autoriteteve.

