Rast alarmi në Zvicër/ Konfirmohet infektimi i parë me hantavirus te pasagjeri i anijes turistike

Autoritetet zvicerane kanë konfirmuar një rast infektimi me hantavirus te një pasagjer i anijes turistike MV Hondius, i cili është shtruar në spital në Cyrih dhe po merr trajtim mjekësor.

Sipas njoftimit, pasagjeri është paraqitur vetë në shërbimet shëndetësore pasi ka marrë një email informues nga operatori i anijes për një incident shëndetësor të ndodhur gjatë udhëtimit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë të ditur se po bashkëpunon me disa vende për gjurmimin e kontakteve, në përputhje me rregullat ndërkombëtare të shëndetit, me qëllim identifikimin e personave që mund të jenë ekspozuar ndaj virusit.

Rasti është konfirmuar si hantavirus Andes, ndërsa diagnoza është bërë nga Instituti Kombëtar për Sëmundje Infektive në Afrikën e Jugut dhe Spitali Universitar në Gjenevë.

Në procesin e hetimit dhe monitorimit janë përfshirë edhe institucione të tjera ndërkombëtare shëndetësore, të cilat po ndihmojnë në vlerësimin e situatës dhe parandalimin e përhapjes së mëtejshme.