“Porta e Alpeve”, 50 milionë euro investim për transformin e korridorit turistik Shkodër-Shëngjin

Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural miratoi kontratën financiare me Bankën Evropiane të Investimeve për infrastrukturën bashkiake për projektin ‘Porta e Alpeve’”.

Marrëveshja financiare parashikon një hua prej 50 milionë eurosh nga Banka Evropiane e Investimeve për realizimin e ndërhyrjeve infrastrukturore në Shqipërinë e Veriut.

Zëvendësministri i Financave, Endrit Yzeiraj i cili prezantoi objektivat dhe komponentët e projektit, bëri të ditur se investimi synon përmirësimin e cilësisë së jetës së komuniteteve në veri të vendit përmes zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, rritjes së mobilitetit dhe përmirësimit të infrastrukturës publike.

“Porta e Alpeve” përfaqëson një investim strategjik që synon krijimin e një korridori të integruar zhvillimi, i cili lidh Alpet Shqiptare me bregdetin Adriatik përmes Shkodrës, liqenit të Shkodrës, lumit Buna, Velipojës dhe Shëngjinit.

Ndërhyrjet e parashikuara përfshijnë rigjenerim urban, përmirësim të aksesit territorial, zhvillim të mobilitetit të qëndrueshëm, si dhe krijimin e produkteve të reja turistike publike, përfshirë shtigje biçikletash dhe zhvillim të infrastrukturës kulturore në Shkodër.

Financimi nga BEI parashikon mbulimin e 50% të kostos totale të projektit, ndërsa pjesa tjetër pritet të mbulohet nga buxheti i shtetit dhe burime të tjera financimi.

Vlera totale e projektit arrin në 100 milionë euro.

Afati i zbatimit të projektit është 5 vjet nga hyrja në fuqi e kontratës financiare, ndërsa Ministria e Financave dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit janë institucionet përgjegjëse për zbatimin e tij.

Projektligji është pjesë e prioriteteve strategjike kombëtare dhe synon të kontribuojë në zhvillimin e qëndrueshëm territorial, rritjen e punësimit dhe forcimin e ekonomisë lokale në Shqipërinë e Veriut.

VIDEO - Qendrimi i opozites nga deputetja Ina Zhupa mbi projektin "Porta e Alpeve"