Engjëjt, krahëflatëruarit që lindën nga imagjinata, si shenjë e gjithëpranisë së Hyjnores
Pikoi nga qielli i imagjinatës duke gjetur te pritja, prehje dhe adhurues, përulësi dhe lutje. Puttot, ëngjëjt, kerubinët, kupidët, krahëflatëruarit, fëmijët e artë që erdhën në art si shenjë e gjithëpranisë së Hyjnores, si fuqia më delikate e prekjes dhe dlirësisë.
Ata janë, në art, mishërimi i frymës qiellore, manifestimi i gjendjes që përplotëson vullnetin e shenjtë. Një figurë idealizuese, që qëndron në një hapësirë ndërmjet, në kufijtë e padukshëm mes fëmijës dhe të rriturit, qiellores dhe tokësores, purifikimit dhe molepsjes.
Ai zbret nga lartësitë me krahët e shpirtit dhe të fjalës, për të hyjnuar fluturimin, për të ndërtuar nëpërmjet brishtësisë një fuqi krijuese. Putto është dërguar për të shpërblyer besimin dhe për të kurorëzuar ndjeshmërinë e misterit hyjnor.
Përfytyrimi i një krijese të tillë, në pamjen e një fëmije mashkull topolak dhe zakonisht i zhveshur, përçon një qetësi të përjetshme, një prani që ngre mbi tokën peshën e një bekimi.
Fillimisht, putto shfaqet në artin klasik si simbol i pasioneve profane, por me kohë u konvertua në përfaqësues të kerubinit të shenjtë dhe, në artin barok, si simbol i gjithëpranisë së Zotit. Kur përfaqëson Kupidin, ai njihet edhe si amorino ose amoretto.
Në botën klasike, putti ishin figura me krahë që besohej se ndërhynin në jetën e njerëzve. Në artin e Rilindjes, forma e tyre buron nga figura si Erosi grek apo Amori romak, shpirti kujdestar (gjenii) apo daemoni grek, që lidhen me natyrën mesazhere dhe mbrojtëse të shpirtit njerëzor në përballje me hyjnoren.
Putti shfaqen që nga shekulli II në sarkofagët e fëmijëve, të paraqitur duke kërcyer, luftuar, marrë pjesë në ritet bakike ose në lojëra, duke treguar kësisoj një jetë që sfidon vdekjen me dritën e pafajësisë.

Gjatë Mesjetës, figura e puttos humbi nga arti, por u ringjall në shekullin XV nga mjeshtri Donatello në Firence. Ai i riktheu puttit dinjitetin klasik, por e pasuroi me simbolikën e krishterë. Në artin e tij, putti nuk janë vetëm zbukurim, por bartës domethënieje shpirtërore, siç dëshmojnë engjëjt muzikantë apo figura që qëndrojnë përmbi altare e kupola.
Putti do të shfaqen gjithnjë më tepër në vepra të frymëzuara nga mitologjia klasike, dhe në shekullin XVI italian, dy forma u veçuan si më të zakonshme: putto në gjumë dhe putto me një kafshë ose objekt. Ata nuk janë veçse zbukurim, janë kujtim i përhershëm i një pafajësie që frymëzon, një ndjeshmëri që kumton përtej përmasës fizike të artit.
Në veprën "Jetët e më të shquarve të piktorëve, skulptorëve dhe arkitektëve", Vasari shkruan për Donatellon:
"Ai e ringjalli shkëlqimin e botës së lashtë, duke i kthyer artit hijeshinë dhe brishtësinë që kishin humbur në errësirën e kohëve."
Në poezinë e Petrarkës, “Canzoniere” dashuria shpesh merr trajtën e një figure engjëllore. Mund të citohet për të theksuar këtë figuracion të dashurisë si një “putto”, shpesh i mishëruar në ëndërr ose në kujtesë se "dashuria me krahët e tij fluturon shpejt, dhe zemrën time e ndez e më lëndon me gëzim."
Përgatiti: Albert Vataj

