Ligji ka një zbrazëtirë skandaloze/ Predhi: Si shoferët e dehur mund t’i shpëtojnë dënimit maksimal
Legjislacioni shqiptar parashikon dënime të ashpra për shkaktarët e aksidenteve rrugore me pasoja tragjike, por zbrazëtirat ligjore dhe dështimi në zbatim rrezikojnë të lënë autorët e vërtetë pa ndëshkimin e merituar.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte avokatja Dorina Predhi, e cila u shpreh se sipas Kodit Penal, një person që shkakton vdekjen e më shumë se një individi për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit, mund të dënohet deri në 20 vjet burg.
Megjithatë, ashpërsia e ligjit në letër zbehet përballë realitetit të zbatimit të tij.
Një problem thelbësor që avokatja theksoi qëndron te dështimi i institucioneve për të vepruar në kohë. Ka raste kur individë të rrezikshëm janë denoncuar disa herë në polici, por masat ndaj tyre nuk janë marrë, duke çuar në pasoja fatale që mund të ishin parandaluar. Ky fakt tregon se diku zinxhiri institucional ka këputje, duke lejuar që tragjeditë të ndodhin.
Një tjetër pikë kritike gjendet në vetë Kodin Rrugor, veçanërisht në masat për drejtuesit e mjeteve në gjendje të dehur. Ligji aktual parashikon heqjen e lejes së drejtimit nga një muaj deri në dy vjet për shoferët që kapen me një nivel alkooli deri në 1.5 gram për litër.
Problemi aipas Predhit qëndron te fakti se legjislacioni është "krejtësisht evaziv" dhe i paqartë për rastet kur niveli i alkoolit e kalon këtë masë, duke krijuar një zbrazëtirë ligjore që mund të shfrytëzohet nga shkelësit më të rrezikshëm. Kjo qasje është në kontrast të thellë me praktikat e vendeve të Bashkimit Europian si Gjermania apo Franca. Në këto shtete, drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike ndëshkohet me heqjen e përhershme të lejes së drejtimit. Kjo tregon një tolerancë zero ndaj një prej shkaqeve kryesore të vdekjeve në rrugë, një model që Shqipëria ende nuk e ka adoptuar. Mes dënimeve të ashpra në letër dhe një realiteti plot boshllëqe, siguria rrugore mbetet një sfidë e madhe.
Ndiqni intervistën e plotë:
