Tragjeditë që na zgjojnë për pak ditë/ Sinanaj: Jemi kthyer në një shoqëri pa ndjeshmëri, duhet t'i rikthehemi vlerave tona

Ngjarjet tronditëse të ditëve të fundit shërbejnë si një pasqyrë e hidhur për realitetin shqiptar, duke ngritur pyetje thelbësore për funksionimin e shoqërisë dhe shtetit.

Përtej dhimbjes dhe vajtimit të përkohshëm, Eva Sinanaj, sociologia e ftuar në studion e lajmeve në "Ora News" argumentoi se shoqëria shqiptare nuk e ka më luksin të vajtojë, por ka nevojë urgjente për një "zgjim" kolektiv. Sipas saj, reagimi publik ndaj tragjedive ndjek një cikël të parashikueshëm: një tronditje fillestare, deklarata publike dhe diskutime që zgjasin dy ose tre ditë, përpara se gjithçka t’i kthehet normalitetit të mëparshëm. Kjo sjellje tregon një problem më të thellë, atë të një shoqërie që duket se ka humbur ndjeshmërinë dhe aftësinë për të nxjerrë mësime nga fatkeqësitë.

"Unë do të thoja që ne si shoqëri jemi në një moment që  prehemi pa diskutim kur ndodhin raste të tilla, vajtojmë, bëjmë ato deklaratat tona publike ose jo për për ngjarjet dhe rastet konkrete, por nuk e kemi luksin të vajtojmë ne si shoqëri. Ne duhet të zgjohemi.

Kjo është një pikëpyetje shumë e madhe në realitetin shqiptar, sepse duket që raste të të ndryshme hera herës, të paktën këtë, këtë pesëvjeçarin e fundit kanë ndodhur në shoqërinë shqiptare, bëhen diskutime apo diskurse dy, tre ditë dhe pastaj gjithçka kalon siç ishte më përpara. Çfarë na zgjon? Ndoshta duhet të duam pak më shumë njëri-tjetrin, mendoj unë. Jemi bërë një shoqëri shumë pak empatike

Unë mendoj që ne i kemi ligjet, shumë të mira, të shkruara, sipas standarteve, konventave, i zbatojmë ose jo, ne duhet t'i rikthehemi pak më shumë normave, vlerave tona. Duhet t'i kthehemi pak më shumë, siç e thashë në fillim, ndjenjës së komunitetit, që ti i përket këtij komuniteti, ti je qytetar i këtij qyteti, ti duhet ta njohësh qytetin, ta zotërosh qytetin, duhet të marrësh pjesë në dëgjesa publike, nga minibashkia, nga bashkia", u shpreh Sinanaj.

Ndiqni intervistën e plotë: