Skandali për të nxjerrë Veliajn nga burgu/ Po përdoret skema “Redi Molla”
Drejtori i dosjes “5D”, Redi Molla ka dalë nga qelitë disa kohë më parë pasi gjykata vendosi që ai të qëndronte në një masë më të lehtë sigurie, pra të dilte nga burgu sepse kishte probleme me shëndetin kardiak.
E njëjta skemë duket se po përdoret me Erion Veliajn.
Sot, "Ora News" ka raportuar se, Erion Veliaj pritet që pas disa ditësh të bëjë një kontroll në spitalin privat “Salus” te një doktor privat me mbiemër Zingaretti ku do të kryejë një koronare, apo kontroll zemre.
“Ora News” raporton se, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej më shumë se 14 muajsh në paraburgim, do t'i nënshtrohet një ekzaminimi të specializuar kardiak këtë të mërkurë, duke ngritur pikëpyetje nëse kjo është një strategji e re për të siguruar lirimin e tij.
Sipas “Ora News”, pas një tentative të mëparshme të dështuar për të përdorur një kolonoskopi për qëllime të ngjashme, tashmë vëmendja është zhvendosur te një problem i mundshëm kardiak.
Transferimi në spitalin privat “Salus” për një koronarografi po shihet si një taktikë e mundshme për të siguruar një raport mjekësor që mund të çojë në zbutjen e masës së sigurisë.
“Burime zyrtare nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve kanë konfirmuar se Veliaj do të shoqërohet në spitalin “Salus” të mërkurën, më 6 maj. Gjithashtu, burime spitalore konfirmuan takimin për një koronarografi me specialistin italian, profesorin Zingaretti. Të dyja institucionet e kanë pranuar zyrtarisht vizitën e planifikuar”, raporton Ora News ndër të tjera.
Skema duket pothuajse e njëjtë.
Redi Molla doli nga burgu dhe shkoi në shtëpi duke pasur probleme shëndetësore kardiake. Kjo kërkohet të përdoret dhe me Erion Veliajn.
Një spital privat, “Salus” dhe një doktor italian, Zingaretti
Pse nuk shkon Erion Veliaj në një spital publik, te kardiokirurgjia, te doktorët shqiptarë, aty ku shteti paguan mjekë, infermierë dhe miliona euro taksa të shqiptarëve çdo vit për shërbim shëndetësor?
Para që paguhen që të marrë shërbimin çdo qytetar. Në spitalin publik është operuar dhe kryeministri Rama disa kohë më parë.
Ndërsa Erion Veliaj shkon në spital privat, gjen një doktor italian Zingarettin dhe “Salus” për të bërë kontrollin.
A është më i mirë “Salusi” se Urgjenca e Kardiokirurgjisë apo Kardiologjisë në Shqipëri? Nuk ka diskutim.
Përtej krenarisë, askush nuk mund të thotë se një profesor nga Italia është më i zoti se disa kardiokirurgë apo kardiologë shqiptarë apo hemodinamistë që bëjnë kontrollet e zemrës, ku kryejnë kontrollin me qindra apo mijëra qytetarë çdo muaj, me dhjetëra mijëra çdo vit, kurse Erion Veliaj mesa duket sipas konfirmimit të dhënë nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka zgjedhur që kontrollin ta bëjë në spitalin privat Salus me doktor Zingarettin, sipas Ora News.
Lind pyetja: Është një skemë tjetër për ta nxjerrë Erion Veliajn nga burgu apo një kontroll i vërtetë?
Shpresojmë dhe urojmë që Veliaj të mos ketë probleme shëndetësore nga zemra sepse ka përballë një proces të gjatë gjyqësor me 13 akuza të rënda penale dhe duhet të mbajë përgjegjësi sipas ligjit para ligjit.
Por, Veliaj ka zgjedhur t’i shtyjë këto gjyqe, të përplaset me gjyqtarët dhe prokurorët duke i sulmuar, duke prishur provat siç është rasti me Klotilda Bushkën ish-kryetaren e Komisionit të Ligjeve apo duke lobuar në SHBA me shpifje dhe të pavërteta.
Ndaj dhe sot jemi përballë faktit: A po shkon Erion Veliaj në spital për një hall shëndetësor?
Shpresojmë që të mos ketë një të tillë apo po shkon në spital për të gjetur një sebep, një arsye për të dalë nga burgu ku po qëndron me akuza për 13 vepra të rënda penale dhe jo për sport por sepse prish provat, intimdion, sulmon, akuzon gjyqtarë dhe prokurorë apo siç del në përgjime, shpik manipulime me dy milionë euro pagesë skema dhe skenarë që përtej problemeve të një beteje me drejtësinë nuk tregojnë probleme kardiologjike./ CNA