KAPET I DYSHUARI PËR VRASJEN E 5-VJEÇARES! Jefferson Lewis, 47 vjeç do të dalë përpara gjykatës të martën
Jefferson Lewis, 47 vjeç, është arrestuar dhe akuzuar për vrasjen me dashje të një vajze të mitur 5-vjeçare në Australi, ndërsa pritet të dalë para gjykatës të martën në Darwin. Ngjarja ka shkaktuar protesta të dhunshme në Alice Springs, ku turmat janë përplasur me policinë. Autoritetet bëjnë thirrje për qetësi dhe respektim të drejtësisë.
Policia australiane ka mundur të arrestojë Jefferson Lewis, 47 vjeçarin e akuzuar për vrasjen e një vajze të mitur 5-vjeçare.
Trupi i të miturës u gjet pas disa ditësh kërkimesh intensive nga policia, duke zbardhur një rast që kishte mobilizuar autoritetet dhe komunitetin.
Ngjarja i ka tronditur thellë dhe ka shkaktuar protesta të dhunshme në qytetin Alice Springs.
Pas arrestimit të Lewis, jashtë spitalit ku ai po trajtohej për plagë, shpërthyen përplasje të dhunshme.
Dhjetëra persona u mblodhën duke hedhur sende të forta ndaj policisë dhe duke sulmuar automjetet që gjendeshin aty. Të paktën një furgon policie u dogj gjatë trazirave.

Policia ndërhyri me gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën, ndërsa dëmet materiale u vlerësuan në mbi 100 mijë euro. Pesë persona janë arrestuar në lidhje me incidentet.
Sipas raportimeve, disa protestues kërkonin hakmarrje dhe shprehnin zemërim ndaj autoriteteve, duke akuzuar policinë se po mbronte të dyshuarin. Megjithatë, policia ka bërë thirrje për qetësi dhe respektim të procesit gjyqësor.
I dyshuari pritet të dalë përpara gjykatës të martën në Darwin, ndërsa ndaj tij rëndon akuza e vrasjes me dashje.
Familja e vajzës ka shprehur dhimbje të thellë për humbjen, duke e përshkruar atë si një fëmijë të dashur dhe të pazëvendësueshëm.
Gjyshi i saj u ka bërë thirrje njerëzve të mos reagojnë me dhunë, por të lejojnë drejtësinë të ndjekë rrugën e saj.

