Rishikimi i paraburgimit/ Sot Gjykata e Lartë shprehet për njehsimin e praktikës gjyqësore

Sot, më 4 maj, Gjykata e Lartë do të shprehet me vendim në lidhje me ndryshimin e praktikës gjyqësore sa i takon kushteve dhe kritereve për aplikimin e masës arrest në burg.

Prej afro 1 muaj Kolegji i Bashkuar i Gjykatës së Lartë ka analizuar dhe shqyrtuar rekursin e Bektesh Zenelit, i paraburgosuri që u bë shkak për nisjen e këtij ndryshimi ligjor, nëse do të ndryshojë praktika njehsuese e vitit 2011, ku mbështetet Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit për caktimin e masës shtrënguese.

Në seancën publike, gjykata do të shpallë dhe arsyetimin e zbardhur mbi këtë nismë, ku do të shikohet se si janë ndarë votat për ndryshimin e praktikës ligjore.

Për të ndryshuar këtë praktikë u angazhua dhe kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, i cili sipas tij u detyrua nisur edhe nga vendimet e Gjykatës së të Drejtave të Njeriut.

Më 9 prill Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë u mblodhën të thirrura nga kryetari Sadushi për të riparë vendimin unifikues të vitit 2011 mbi masën e sigurimit të arrestit në burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Janë të paktën tre momente që sipas kreut të Gjykatës së Lartë Sokol Sadushi duhen rishikuar. E para lidhet me faktin se sipas vendimit të 2011 gjykata nuk ka detyrim që të analizojë përse llojet e tjera të masave të sigurimit nuk janë të përshtatshme. Por, GJEDNJ thotë se “argumentet e gjykatave në favor të lirimit apo kundër nuk duhet të jenë të përgjithshme, por të përmbajnë referenca për fakte specifike dhe rrethana personale që justifikojnë paraburgimin e kërkuesit”.

Elementi i dytë për të cilin kërkohet rishikimi i vendimit të vitit 2011, lidhet me faktin se ndryshe nga çndodh aktualisht, rrezikshmëria e autorit nuk mund të përcaktohet nga vetë vepra penale. Gjykata Evropiane ka përcaktuar se serioziteti i veprës ose pasojat e saj nuk përbëjnë arsye të pavarura që justifikojnë ndalimin me burgim.

Dhe e treta, sipas vendimit unifikues të tetorit 2011 nga Gjykata e Lartë thuhet se për të përcaktuar të papërshtatshëm arrestin me burg duhet të ishte i akuzuari që jep argumenti pse. Pra duhet të jetë i akuzuari që të thotë se pse nuk duhet të rrijë në burg. Pra barra e provës i vendoset të akuzuarit dhe jo gjykatës apo prokurorisë. Kjo është në kundërshtim me praktikën perëndimore, prandaj sipas kreut të Gjykatës së Lartë kjo kërkon ndryshim.