Humbi jetën i vëllai dhe kushëriri nga aksidenti me makinë/ Ministria e Shëndetësisë: I mituri në Traumë në gjendje të rëndë por...

I mituri i plagosur nga aksidenti i rëndë në Durrës është transportuar në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se fëmija ka pësuar dëmtime të shumta, por është i vetëdijshëm dhe po merr trajtim mjekësor intensiv.

“I mituri ndodhet aktualisht në Spitalin e Traumës. Gjendja e tij është e rëndë, pasi ka dëmtime të shumta. I mituri është koshient”, thotë ministria.

Ngjarja ndodhi pasditen e sotme në Durrës, ku katër fëmijë po luanin në trotuar kur një automjet i drejtuar nga Nikoll Radaçi humbi kontrollin dhe përplasi tre prej tyre.

Si pasojë, dy fëmijë humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur rëndë dhe u dërgua në spital. Njëri prej fëmijëve nuk u lëndua.

Drejtuesi i automjetit u largua menjëherë pas aksidentit, por u arrestua më vonë nga policia. Sipas burimeve, dyshohet se ai ka qenë nën efektin e alkoolit në momentin e ngjarjes.