Pezullimi i votimit për kreun e PD-së Korçë/ Kaso: Procesi do të rifillojë vetëm sipas rregullave

Drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Ivi Kaso ka njoftuar se aktualisht procesi i votimit për zgjedhjen e kreut të PD-së është pezulluar.

Kaso tha se shkak janë bërë disa persona që kanë tentuar të votojnë, pavarësisht se nuk figurojnë në listat e antëarësisë.

Deputeti u shpreh procesi është i pacënuar, ndërsa shtoi se nëse do të rifillojë do votojnë vetëm personat që kanë emrin në listë. 

"Nuk ka patur përplasje, ka patur bllokim të procesit që aktualisht është i pezulluar sepse kanë tentuar të votojnë persona që nuk rezultojnë në listat e anëtarësisë. Këto janë lista të konfirmuara në të cilat është votuar në procesin e fundit për kryetar në Korçë, si dhe këta të fundit nuk paraqesnin dokument anëtarësie siç kërkon rregullorja. Dy kushtet për të votuar janë ose të gjendet emri në listë, ose zgjedhësi të paraqesë dokument identifikimi që provon anëtarësinë në PD. Në mungesë të këtyre, nuk marrin konsensusin e komisionit për të votuar. Komisioni orientohet në bazë të udhëzimeve që vlejnë për të gjithë Shqipërinë, siç është votuar në të gjitha degët, do të votohet edhe në Korçë. Në pritje të qetësimit të situatës dhe të sqarimit të personave që kanë ardhur për të votuar, procesi është pezulluar dhe shpresoj të fillojë së shpejti. Nëse procesi fillon, duhet të fillojë me ato rregulla. Procesi është i pacënuar deri në këto momente, ata që kanë votuar, kanë votuar sipas listës së zgjedhësve dhe kur të fillojë sërish procesi, do votojnë vetëm personat që kanë emrin në listë. Të jeni të sigurt që procesi kur të fillojë, do të fillojë i pacënuar, qoftë nga aspekti i integritetit të votës, qoftë nga aspekti i procesit. Qëllimi jonë është që të jenë të sqaruar të gjitha palët, të jenë të qartë kandidatët dhe anëtarët e komisionit, në mënyrë që procesi të jetë i pacënueshëm dhe i besueshëm. Që të fillojë procesi duhet që të gjithë pjesëtarët në garë, dy kandidatët, anëtarët e komisionit, ti japin besim procesit, të jenë të qartë për rregullat e lojës. Nuk ka asnjë proces zgjedhor të shkëlqyer, e rëndësishme është që procesit të mos i mungojë besimi dhe integriteti i një procesi të drejtë. Ne jemi këtu për të qetësuar palët e të japim garancinë e procesit të pacënuar", u shpreh Kaso.