Berisha: PD ka garën më të ndershme. Kandidatët e Ramës nuk mund të marrin pjesë! Salianji e shiti veten në burg
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha u shpreh se gara brenda PD-së është, sipas tij, forma më e ndershme dhe më demokratike e organizimit politik, duke theksuar se kandidatët që nuk plotësojnë kriteret ose kanë qenë të lidhur me kundërshtarët politikë nuk mund të marrin pjesë në proces.
Berisha iu përgjigj edhe pyetjeve mbi mënyrën e zhvillimit të garës së brendshme, duke theksuar se kryetari i partisë zgjidhet drejtpërdrejt nga anëtarësia dhe se kjo, sipas tij, përbën standardin më të lartë të demokracisë brenda një force politike.
Ai shtoi se në garën për drejtimin e PD-së mund të marrin pjesë vetëm ata që plotësojnë kriteret e përcaktuara në rregullore dhe që kanë kontribut të njohur në parti, duke përjashtuar mundësinë e pjesëmarrjes së personave që, sipas tij, kanë punuar kundër PD-së në zgjedhje ose janë larguar drejt forcave të tjera politike.
Berisha theksoi gjithashtu se partia, sipas tij, duhet të mbrohet nga ndikimet e jashtme dhe nga individë që nuk përfaqësojnë interesat e saj, duke e cilësuar garën e brendshme si një proces që duhet të ruajë integritetin dhe përfaqësimin real të anëtarësisë.
PJESE NGA BASHKEBISEDIMI
Lek Bushpepa: Pse nuk ka garë të ndershme në PD dhe ka vetëm një kandidat, ndërsa të tjerët janë tërhequr nga gara apo përjashtuar nga partia para garës.
Sali Berisha: I dashur Lekë, të garantoj se PD ka garën më të ndershme dhe formën më demokratike të garës që mund të ekzistojë.
Do më falësh. Kryetarët e partive në familjet tona simotra, vetëm një pjesë e vogël zgjidhen direkt nga anëtarësia, të tjerët i zgjedhin forumet e partisë. Por zgjedhja nga anëtarësia Lekë, padiskutim që është forma më eprore e demokracisë dhe më demokratike. Tani të vijmë pak tek ajo që thoni ju.
Vetëm se kërkoi, të mos bini viktimë e propagandës të atyre që nga viti 2009 kanë zhdukur votën e lirë në parti dhe nuk kanë më votë të lirë. Kanë mobilizuar këto kohë, mafien më të rrezikshme se mafia e kokainës, kundër PD-së.
Pra edhe njëherë, PD është nga ato të pakta, jo të shumta, parti demokratike në Europë dhe në botë, që kryetarin e zgjedh direkt me votën e anëtarësisë. Ky është themeli.
Do vijmë tek gara. Të siguroj se, kjo parti në garën në këtë parti, pranohen dhe do pranohen çdo demokrate dhe demokrat, që plotëson kriteret e përcaktuara në rregullore për të marrë pjesë në këtë garë.
Unë besoj se kjo është gara më e rëndësishme e partisë dhe duhet të përfaqësojë anëtarësinë e partisë. A mund të imagjinosh ti që në garën e PD-së të marrin pjesë kandidatë të Edi Ramës. Më thuaj pak?
Konkretisht me emra mund ti marr. Apo kandidatë të cilët në fushatë elektorale punuan haptas kundër PD-së, apo kandidatë që në fushatë elektorale ndërruan parti dhe kaluan në parti tjetër.
Do më falësh, këta në çdo parti politike në botë, në çdo parti me ndërgjegje politike, këta përjashtohen, për tradhëtinë që i kanë bërë partisë së tyre në fushë betejë, në moment beteje.
Është jashtë çdo lloj llogjike që këta të mund të imagjinohen që të lejohen të kandidojë. Jo këtë se lejon asnjë parti në botë.
Për të kandiduar për kryetar partie duhet të plotësosh disa kritere të caktuara dhe të pranuara. Në rast se je jashtë këtyre kritereve, mund të kandidosh për poste të tjera në degë apo diku tjetër, por nuk mund të kandidosh për kryetar të PD-së në një kohë kur nuk ka asnjë kontribut qenësor, relevant të njohur nga partia. Nuk e bën kërkush sepse e bën qesharake garën.
Kurse çdo njeri me kontribute që plotëson kriteret është i mirëpritur dhe nuk është refuzuar kurrë. Mos harro dhe njëherë, janë refuzuar ata të cilët në fushatë kaluan në parti të tjera dhe i urdhëruan si skllevër që janë, të vazhdojnë lojën e tyre kundër PD-së.
I urdhëruan, i përdorën dhe i keqshfrytëzojnë nëpër studio për zhurmë, mafia më e rrezikshme e Shqipërisë, është mafia e fjalës së lirë. Pronarë mafiozë mediash, njerëz të zhveshur nga çdo karakter, thërrasin në studio njerëz të kaluar në parti të tjera dhe u venë si epitet funksione që nuk i kanë pasur kurrë në parti. Këta thua ti, nuk besoj se je për këta ti, nëse je anëtar i PD.
Nuk besoj se mund të kandidojë ai që bashkëpunon me krimin, që merr udhëzime nga Oltion Bistri dhe Ergys Agasi, që ne e bënim hero në burg, kurse ai shtronte dreka dhe darka me Pëllumb Gjokën dhe Oltion Bistrin.
Kjo kryesi dhe ky kryetar gjersa të jetë është i detyruar të mbrojë interesat tuaja, interesat e demokratë nga ata të cilët i shkelmojnë për llogari të kundërshtarëve tanë.
Politiko.al: A po e çon PD-në drejt gjykatave mungesa e garës brenda partisë duke u nisur nga fakti se kandidatë si Evi Kokalari kanë paralajmëruar padi, ndërsa Ervin Salianji dhe Mereme Sela kanë kundërshtuar publikisht skualifikimin e tyre dhe a rrezikon kjo të minojë besimin tek procesi për kreun e partisë?
Sali Berisha: PD është parti e hapur, nuk mund ta marrë kush. U përpoqën për ta marrë.
Unë i them portalit se këtë parti, Edi Rama nuk mund ta marrë kush me kandidatura të shtira.
Se Ervin Salianji, e kam shpjeguar dhe e shpjegoj përsëri, u shpall i burgosur politik sepse ishte për kohën që qëndroi në burg, por në burg e shiti veten.
Tani nuk do përsëris problemet e tij se i kam thënë.
Në burg, ai u birësua nga Pëllumb Gjoka dhe Oltion Bistri. Sapo doli, ai ishte në shoqërinë e vazhdueshme të Ergys Agasit.
Dhe, për portalin që pyet, i them, pikërisht momentin kur plasi skandali Balluku, ky filloi xhiron për të sfumuar zhurmën, për të krijuar një vatër tjetër debati.
Dhe njëherë, ata që kanë mbajtur qëndrim, ata që përfaqësojnë pushtetin, lidhjet me pushtetin, ata të cilët kanë qenë kundër PD në fushatë elektorale, ata nuk kanë dhe nuk do kenë vend ndonjëherë në PD.
Nuk e kam këtu për zonjën Sela, nuk e di se nuk e njoh, është hera e parë që ia kisha dëgjuar emrin, dhe natyrisht gara ka disa kritere. Gara për kryetar të PD, kudo në botë, ka kritere dhe në Shqipëri ka kritere.

