Çfarë po kërkon Erion Veliaj nga Gjykata Administrative?
Kryebashkiaku i Tiranës, i cili ndodhet në arrest në burgun e Durrësit, mbi të cilin rëndojnë edhe 13 akuza të rënda penale, që prej gati 10 muajsh shtyn pambarimisht seancat gjyqësore për akuzat ndaj tij, ka paditur në Gjykatën Administrative prokurorin Ols Dado.
Padia është bërë në datën 20 janar të vitit 2026 dhe deri tani janë zhvilluar dy seanca. Më datë 8 maj është seanca e radhës.
Pyetja është e thjeshtë: Çfarë kërkon Erion Veliaj në “Administrative”, edhe pse e sulmon prokurorin Ols Dado?
Në rast se do të ishte shqetësim emërimi i Ols Dados në SPAK këtu e disa vite më parë do të ishte bërë që atëherë ankimimi nga PS-ja nga deputetët, do të ishte bërë publik, por në atë kohë kur Ols Dado është emëruar prokuror, kur ka kaluar vetingun në të gjitha nivelet dhe është emëruar në SPAK, nuk ka pasur asnjë ankimim.
Ols Dado ka kaluar një veting të vërtetë si shumë prokurorë dhe gjyqtarë të tjerë. Ka kaluar të gjitha hallkat, atë të hetimit pasuror, profesional, çka është një gjykim më shumë sesa ai administrativ, pasi vetingu kishte të drejtë të të përjashtonte nga drejtësia, të të largonte nga detyra, por këtë Ols Dado e kaloi.
Nuk ka një emërim të padrejtë të Ols Dados. Emërimi është bërë me një dosje të plotë nga prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, e cila e ka propozuar te presidenti i Republikës që më pas ka bërë emërimin e Ols Dados prokuror. Praktikë kjo që ndiqet rëndom në çdo rast.
Për atë që thotë Erion Veliaj dhe avokatët e tij, se Ols Dado është emëruar me një copë letër: Të gjithë me një copë letër emërohen. Dhe Erion Veliaj kur është emëruar ministër me një copë letër është emëruar, me një dekret të presidentit.
Po çfarë kërkon Zdromsi nga Gjykata Administrative?
Thjesht dhe vetëm të rrëzojë prokurorin Ols Dado, i cili në fakt e ka kaluar vetingun e tij.
I është bërë edhe gjyqi administrativ dhe penal, i është kontrolluar pasuria dhe karriera profesionale, kurse Erion Veliajt nuk i është kontrolluar as pasuria, ende nuk i është hetuar nga SPAK-u dhe kjo është një pikëpyetje e madhe pastaj pa folur për pjesën profesionale dhe arritjet e mëdha të Veliajt që nga dosja “5D”, inceneratorët dhe 13 akuzat e rënda penale ndaj tij.
Erion Veliaj po kërkon thjesht dhe vetëm që në Gjykatën Administrative të ngrejë një furtunë në gotë dhe këtë e bën duke përdorur avokatët, lobistët, studiot ligjore duke goditur prokurorin Ols Dado me një qëllim që gjykata duke mos e mbajtur dot presionin e sulmit nga katër anët, të quajë të padrejtë administrativisht emërimin e prokurorit Ols Dado që Erion Veliaj të thotë më pas që aktet e bëra nga prokurorët e SPAK-ut janë të pavlefshme, janë nul, pasi prokurori ka qenë i emëruar në detyrë në mënyrë joligjore, pra ka qenë në shkelje të ligjit dhe si të tilla aktet hetimore bien.
Ky është qëllimi i vërtetë i Erion Veliajt.
Nuk ka hall Erioni si është emëruar Ols Dado, apo si është emëruar Klodjan Braho apo si është emëruar Altin Dumani se të gjithë prokurorët e SPAK-ut dhe prokurorët e tjerë në detyrë të rretheve e kanë kaluar vetingun e tyre.
Erion Veliaj nuk ka këtë hall. Ai e di shumë mirë se cila është pastërtia e figurës së tyre, se cili është integriteti i tyre dhe cila është vlera e tyre, por këtë herë i kapur mat me 13 akuza të rënda penale, i hetuar në mënyrë profesionale nga dy prokurorë, kërkon të rrëzojë njërin prej tyre me idenë se mund të shpëtojë nga akuzat.
Në fakt, Erion Veliaj nuk po bën një betejë me drejtësinë për të fituar pafajësinë, por po lufton drejtësinë për të shpëtuar lëkurën e tij nga akuzat e rënda penale dhe nuk shkon të përballet në gjykatë, por si një frikacak fshihet.
Nuk shkon të përballet në gjykatë, të përballet me akuzat, qoftë dhe të bashkëpunojë me drejtësinë, të çlirojë bashkëshorten e tij nga akuzat, të çlirojë biznesmenët e tjerë, të cilët i ka tërhequr zvarrë në gropën ku është zhytur vetë, por zgjedh lojëra në Gjykatën Administrative me shpresën se do të shpëtojë.
Kjo tregon se sa i vërtetë dhe sa vlen zdromsi i Tiranës, i cili nuk përballet me drejtësinë, nuk përballet me akuzat penale, por shkon dhe ushtron shantazh të hapur me studiot ligjore dhe lobistët ndaj gjykatësve që mund ta lexoni këtu, dhe tërheq zvarrë në një çështje në gjykim pambarimisht një grup biznesmenësh dhe familjarët e tij./ CNA
