Avokatët dhe lobistët e Veliajt, shantazh drejtësisë

Drejtësisë shqiptare po i bëhet një shantazh i hapur, madje dhe po kërcënohet, kjo publikisht nga avokatët lobistë të Erion Veliajt.

Ditë më parë ishte Plarent Ndreca, i cili publikoi një letër, një deklaratë për shtyp kur fliste për larje duarsh si Ponc Pilati, për “patate të nxehta”, për njerëz që diku në një kohë do të jepnin llogari për vendimet që do të merrnin.

Një kërcënim i hapur total ndaj gjykatësve, prokurorëve, i bërë nga avokati Ndreca, i cili në fakt është i pandehur nga SPAK-u në lidhje me çështjen e investimit të komisariateve nga Ministria e Brendshme gjatë kohës që ka qenë Sekretar i Përgjithshëm.

Dje, studioja avokatore amerikane dhe lobiste, “Kasowitz LLP”, ka publikuar një letër.

Një letër ku u kërkon përfaqësuesve të institucioneve ndërkombëtare të jenë prezente më 8 maj, në gjyqin që zhvillohet në Gjykatën Administrative, i kërkuar nga Erion Veliaj kundër prokurorit Ols Dado.

E turpshme, skandaloze, shantazh, kërcënim i hapur.

Ç’punë ka një studio ligjore amerikane që u bën thirrje organizmave ndërkombëtarë të marrin pjesë në një gjykatë në Shqipëri në një çështje administrative lidhur me një vendim presidenti?

A janë të njëjtët lobistë që shkuan në kongrese dhe senate dhe nxjerrin raporte duke thënë se Ols Dado është aktivist i PD-së?

Apo duke na thënë se ka kërkuar leje ndërtimi për një shtesë tdhe nuk i është dhënë nga Erion Veliaj, leje të cilën e kemi kërkuar ne ta publikojnë, por nuk e ka nxjerrë asnjëherë në asnjë çast.

Drejtësia po kërcënohet, po shantazhohet.

Studiot ligjore lobiste amerikane sa herë ka një gjyq, një apo dy ditë para publikojnë një raport.

Kujt i duhen këto raporte? Pse dalin në media?

Në rast se ka për të mbrojtur, Erion Veliaj të shkojë në GJKKO, të përballet me prokurorët e SPAK-ut dhe në rast se Erion Veliaj është i pafajshëm të zhvillohet gjyqi dhe le të ikë në shtëpi.

Po nuk duan këta, as Plarent Ndreca, as lobistët dhe avokatët e SHBA-së,. Duan thjesht të ushtrojnë presion, shantazh të hapur ndaj drejtësisë. Këtë tregojnë veprimet e tyre.

Publikimet e letrave, raporteve, një ditë apo dy ditë para gjyqeve, thirrjet për të marrë pjesë në gjyqe administrative apo kërcënimet e bëra nga Plarent Ndreca, nuk janë asgjë më shumë e as më pak thjesht dhe vetëm një shantazh i hapur ndaj drejtësisë, një kërcënim ndaj saj që bëhet me qëllim.

Jo rastësisht publikohen letrat një ditë apo dy ditë para seancave. Jo rastësisht Plarent Ndreca del bën publikime me kërcënime.

Asgjë nuk është e rastësishme. Janë presione që vijnë jo thjesht dhe vetëm për gjyqin e datës 8 maj në Gjykatën Administrative, por si presion i vazhdueshëm ndaj drejtësisë në të gjitha nivelet e saj./ CNA