VIDEO/ IKMT ÇON RUSPAT NË KSAMIL, reagon ashpër deputetja! Zhupa: Fadromat erdhën pa paralajmërim
Kryetarja e Komisionit të Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, Ina Zhupa, ka reaguar ashpër ndaj nisjes së aksioneve të prishjeve nga IKMT ne Ksamil pikërisht në nisje të sezonit turistik, duke i cilësuar ato si një “antireklamë” për Shqipërinë dhe një dëm të qëllimshëm për imazhin e vendit.
Ajo thekson se ndërtimet pa leje nuk krijohen brenda ditës, por gjatë muajve të dimrit, kur institucionet përgjegjëse duhet të monitorojnë territorin dhe të ndërhyjnë në kohë.
Sipas Zhupës, ndërhyrjet shpesh pa paralajmërim, janë edhe të jashtëligjshme dhe të ekzagjeruara dhe në prani të turistëve.
Këto krijojnë kaos dhe përforcojnë një nga shqetësimet kryesore të operatorëve turistikë në vend, kaosin e shkaktuar nga vetë shteti.
REAGIMI I PLOTË I INA ZHUPËS:
Turizëm me fadroma, terror pa letra. Nisja e sezonit turistik me fadroma është antireklama më e keqe që mund t’i bëhet Shqipërisë dhe një shkatërrim i qëllimshëm i imazhit tonë turistik.
Ksamili gjithmonë bëhet objekt i këtyre prishjeve, shpeshherë i prishjeve arbitrare, pa njoftime të rregullta dhe pa ligj. Ky objekt, në video është në proces legalizimi; asnjë shkresë paralajmëruese apo informuese nuk ka shkuar në drejtim të pronarit. Bëhet terror pa letra biznesit, i shkatërrohet gjithë investimi. Kjo pamje ngjan si skenë krimi dhe terrorizon këdo që mund të gjendet aty ose që e shikon nga rrjetet sociale.
Por edhe nëse ndërtimet janë pa leje, ato nuk mbijnë brenda ditës. Ato ngrihen gjatë muajve të dimrit, kur territori duhet të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga IKMT dhe bashkitë përkatëse. Reagimi në kohë është detyrim, jo zgjedhje.
Është kthyer në një praktikë të gabuar dhe të dëmshme që, sapo nis sezoni apo, akoma më keq, në kulmin e tij, të fillojnë aksionet e prishjeve, me turistë përreth, duke krijuar kaos, zhurmë dhe një imazh negativ për vendin.
Kjo ka qenë një nga ankesat kryesore të operatorëve turistikë në të gjithë Shqipërinë.
Turizmi nuk mund të zhvillohet me aksione spontane dhe të vonuara. Ai kërkon planifikim, përgjegjësi dhe respekt për sezonin dhe për çdo vizitor që zgjedh vendin tonë. Nuk mund të ndërtojmë një industri të qëndrueshme duke e sabotuar vetë çdo verë.

