Vetëm Berisha në garë, PD nis procedurat e garës për zgjedhjen e kryetarit, kriteret dhe afatet

Partia Demokratike ka hapur zyrtarisht procedurat për zgjedhjen e kryetarit të ri. Vendimi është marrë nga Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale, i cili ka përcaktuar edhe rregullat dhe afatet për kandidatët.

Sipas dokumentit, procesi mbështetet në statutin e partisë dhe në një vendim të Kryesisë së 17 marsit 2026. Afati për dorëzimin e kandidaturave është deri më 30 prill 2026, në orën 12:00.

Kandidatët duhet të jenë anëtarë të PD-së me përvojë të gjatë politike dhe angazhim të paktën 10-vjeçar në parti. Kërkohet gjithashtu eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal, si dhe përfshirje në beteja politike dhe çështje që lidhen me interesin publik.

Një nga kushtet është edhe përmbushja e kërkesave të ligjit për integritetin e personave që ushtrojnë funksione publike.

Dokumentet për kandidim duhet të dorëzohen pranë KOKOE dhe përfshijnë kërkesën me shkrim, shprehjen e interesit, CV-në dhe formularin e pastërtisë së figurës.

Vendimi është firmosur nga Albana Vokshi dhe ka hyrë në fuqi menjëherë, duke i hapur rrugë garës për drejtimin e ri të partisë.