Parlamenti britanik rrëzon hetimin ndaj Starmer për emërimin e Mandelson në SHBA
Parlamenti britanik ka rrëzuar një propozim për nisjen e një hetimi ndaj kryeministrit Keir Starmer, lidhur me mënyrën se si është bërë emërimi i Peter Mandelson si ambasador në SHBA.
Votimi përfundoi me 335 vota kundër dhe 223 pro, duke mos e kaluar nismën që kërkonte hetim nga Komiteti i Privilegjeve për deklaratat e kryeministrit mbi procesin e verifikimit të emërimit.
Çështja lidhet me vendimin e marrë në dhjetor 2024, kur Starmer emëroi Mandelson, i cili më vonë u shkarkua në shtator 2025, pas publikimeve për lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein, i dënuar për krime seksuale.
Starmer ka thënë se gjatë procesit të verifikimit nuk janë dhënë të gjitha informacionet e nevojshme dhe se disa të dhëna i janë fshehur nga zyrtarët përkatës. Ai ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqje.
Opozita konservatore e ka kritikuar vendimin e parlamentit, duke e quajtur mbrojtje politike të kryeministrit dhe duke ngritur shqetësime për mungesë transparence në proces.
Nga ana tjetër, qeveria britanike e ka konsideruar kërkesën për hetim si një lëvizje politike në prag të zgjedhjeve lokale.

