Zyrtari iranian: Situata ende është kohë lufte, pavarësisht armëpushimit me SHBA dhe Izraelin

Irani ka bërë të ditur se nuk e konsideron ende të përfunduar gjendjen e konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi.

Një zëdhënës ushtarak iranian ka thënë në televizionin shtetëror se situata vazhdon të trajtohet si kohë lufte dhe se të dhënat për objektivat dhe kapacitetet ushtarake janë përditësuar.

Ai ka folur edhe për ndarjen e kontrollit në Ngushticën e Hormuzit, duke sqaruar se zona menaxhohet nga dy struktura të ndryshme ushtarake, Garda Revolucionare dhe ushtria e rregullt iraniane.

Sipas tij, pjesa perëndimore e ngushticës është nën kontrollin e Gardës Revolucionare, ndërsa pjesa lindore administrohet nga ushtria e rregullt.

Nga ana tjetër, presidenti Donald Trump ka deklaruar më herët se brenda Iranit ka përçarje dhe paqartësi për kontrollin e situatës, veçanërisht në strukturat drejtuese.