Zgjedhja e presidentit, partitë opozitare paralajmërojnë protesta
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu tha sot gjatë seancës së paradites se punimet e Kuvendit do të vazhdojnë në orën 14:00.
Ajo e arsyetoi këtë duke thënë se po pret deputetët e opozitës, që i ka ftuar të marrin pjesë në seancë.
Haxhiu tha se ky është detyrim kushtetues i çdo deputeti.
“E ftoj opozitën sërish që të vijë në seancën për zgjedhjen e presidentit, pra në këtë seancë të jashtëzakonshme që e kemi nisur dje”, tha Haxhiu, pasi lexoi disa aktgjykime të Gjykatës Kushtetuese, opinione të Komisionit të Venecias dhe raporte të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për detyrimin e deputetëve për të qenë të pranishëm në sallë.
Nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e PDK-së, Vlora Çitaku, i bëri thirrje kandidates së propozuar për postin e presidentit, Feride Rushitit, të tërhiqet nga gara, duke e cilësuar atë si pjesë të një “loje politike antikushtetuese” që është e dëmshme për shtetin dhe për vetë atë.
Çitaku tha se PDK-ja e vlerëson angazhimin e Rushitit në shoqërinë civile, por shtoi se “në këtë moment, nderi më i madh për vendin që mund të bëjë ajo do të ishte të largohej nga kjo garë”.
Ajo paralajmëroi se PDK-ja do të angazhohet për të parandaluar veprimet që i cilësoi të rrezikshme nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, duke lënë të kuptohet se mund të organizohen protesta nëse shkohet tutje me votimin për president pa prezencën e opozitës në sallë.
“Kur një kryeministër zgjedh me vetëdije të plotë të shkelë Kushtetutën për pushtet të përkohshëm, ai bëhet rrezik për themelin e shtetit. Këtë nuk do ta lejojmë dhe këtë së bashku me qytetarët e Kosovës do ta parandalojmë”, tha ajo.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pas seancës për zgjedhjen e presidentit që u bojkotua nga opozita, akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) për presione dhe e quajti procesin një rrugë të rrezikshme që cenon rendin kushtetues.
Ai u bëri thirrje LVV-së, deputetëve dhe kandidateve për presidente të ndalen nga ajo që e cilësoi si “puç”.
“Nuk na mbetet rrugë tjetër përpos t’i drejtohemi qytetarit, sovranit, që të mobilizohemi të gjithë dhe ta mbrojmë kushtetutshmërinë e Kosovës”, u shpreh ai.
“E kemi detyrë, e kemi obligim dhe unë besoj që sovrani e ka këtë të drejtë jetike në këtë vend. Kuptohet, me veprime që sovrani vetë i përcakton, që mund të jenë protesta apo veprime të tjera të përshkallëzimit që vlerësohen të nevojshme”, shtoi ai.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Lëvizja Vetëvendosje po bën përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit të vendit.
Duke hyrë në Kuvend, Kurti u pyet nga gazetarët nëse pritet të zgjidhet presidenti në seancën e sotme.
Ai tha se mbetet të shihet nëse deputetët e opozitës do të marrin pjesë në votim.
“Ne bëjmë përpjekjet maksimale, tash ta shohim a po vijnë deputetët e opozitës që e kanë obligim kushtetues të përfaqësojnë popullin, të marrin pjesë në votim”, u shpreh Kurti.
Në Nenin 22 të Rregullores së Kuvendit të Republikës së Kosovës thuhet se “deputeti ka për detyrë dhe obligim që të marrë pjesë në punimet e Kuvendit”.
Sonte në mesnatë skadon afati i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës. Ky afat i 28 prillit u vendos pasi ish-presidentja Vjosa Osmani, më 6 mars, nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit.
Kjo ndodhi pas dështimit për të përmbyllur zgjedhjen e presidentit brenda afatit të 5 marsit, për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjykata Kushtetuese e rrëzoi këtë dekret, duke e shpallur pa efekt juridik dhe duke i dhënë Kuvendit afat deri më 28 prill për zgjedhjen e presidentit të ri.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda këtij afati, vendi shkon në zgjedhje të reja, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditësh.
Pavarësisht disa përpjekjeve të raportuara, partitë nuk arritën të bien dakord për kandidatët që do të garonin për postin e presidentit të shtetit.

