Ngërçi politik po i kushton shtrenjtë Kosovës, Zhitia: Ja pasojat tronditëse për ekonominë dhe qytetarët

Kosova është më afër se kurrë zgjedhjeve të parakohshme, pas dështimit të seancës së Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri.

Afati përfundimtar për zgjedhjen e kreut të shtetit, i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese, skadon në mesnatë, duke e çuar vendin automatikisht drejt shpërbërjes së Kuvendit dhe shpalljes së zgjedhjeve.

Për të folur më tepër rreth kësaj teme, në një lidhje të drejtpërdrejtë në "Ora News", ishte gazetarja Albione Zhitia, e cila u shpreh se seanca e jashtëzakonshme e së mërkurës dështoi në dy aspekte kyçe.

Së pari, asnjë kandidat nuk arriti të sigurojë votat e nevojshme. Lëvizja Vetëvendosje, pas tërheqjes së kandidaturave të Glauk Konjufcës dhe Jahja Kollçakut, propozoi dy emra të rinj: një ish-deputete nga radhët e saj dhe një kandidate nga shoqëria civile. Gjatë raundit të parë të votimit, kandidatja arriti të mbledhë 64 vota, numër ky i pamjaftueshëm për t'u zgjedhur, pasi Kushtetuta kërkon një minimum prej 80 votash në dy raundet e para.

Së dyti, dhe arsyeja thelbësore e dështimit, ishte mungesa e kuorumit. Përveç 80 votave pro, Kushtetuta kërkon edhe praninë e të paktën 80 deputetëve në sallë gjatë procesit të votimit. Ky numër nuk u arrit për shkak të bojkotit të opozitës. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk iu përgjigjën thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për të marrë pjesë në seancë, duke e lënë sallën pa numrin e nevojshëm të ligjvënësve.

" Në fakt duhet të presim deri ditën e sotme, ani pse bazuar në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetuese, është mjaft e qartë që afati përfundon sot në orën 12:00 pas mesnatës dhe në rast moszgjedhjes së një presidenti, atëherë vendi do të shkojë në zgjedhje dhe se zgjedhjet janë më afër se kurrë.

Por a do të shkojmë në qershor siç i bie në bazë të ditëve të përcaktuara të rregullores së Kuvendit, por edhe të Gjykatës Kushtetuese për të shkuar në zgjedhje, apo do të shkojmë në korrik ashtu siç po dëshiron realisht Lëvizja Vetëvendosje, për shkak sepse i gjithë inicimi i seancës së ditës së djeshme për të zgjedhur një presidente të re, për shkak se ka tërhequr kandidaturat paraprake që ishin Glauk Konjuca dhe deputeti Jahja Kollçaku, për t'u zëvendësuar me dy emra të tjerë.

Njëra që vinte nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, një ish-deputete, dhe tjetra nga shoqëria civile, Fevide Rashitaj.

Kjo e fundit ka arritur të marrë vota në raundin e parë, plot 64 vota por jo të mjaftueshme sa kërkohet në bazë të të Kushtetutës së Kosovës, që janë 80 votat në raundin e parë dhe në raundin e dytë.

Por duhet cekur që përveç 80 votave, duhet prania e 80 deputetëve në sallë, gjë që e cila gjatë ditës së mbrëmshme nuk ka ndodhur. Për shkak se opozita nga Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, kanë bojkotuar këtë seancë dhe nuk i janë përgjigjur thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për t'iu bashkuar seancës së jashtëzakonshme për të pasur një president.

E gjitha kjo zhvillim dhe kjo bllokadë politike po vjen për shkak të mosdakordimit për një emër konsensual, mospropozimit dhe përgjigjes së ofertave të njëpasnjëshme të kryeministrit Albin Kurti drejtuar opozitës, të paktën kështu po tentohet të hidhet në publik nga ana e mazhorancës. Në anën tjetër kemi opozitën e cila po këmbëngul në të drejtën e saj që nuk bëhet manovër e lojërave politike dhe teatrove politikë siç po i quajnë ata të", u shpreh Zhitia.

Ndiqni intervistën e plotë: